Elbasan, arrestohen dy autorët e krimit

27/12/2010 10:55

Policia e Elbasanit arrestoi dy shtetas me akuzën e vrasjes. Ata akuzohen se një ditë më parë kanë ekzekutuar në qytetin e Peqinit pronarin e një lokali.

Viktima, Ali Ibaj 55 vjec, u gjend pa jetë në lokalin e tij dhe policia mendonte se kishte të bënte me një vetëvrasje, por ekzaminimi mjekoligjor tregoi se bëhej fjalë për një vrasje të pastër.

Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe listimit të personave që kishin qenë në lokal ditën e vrasjes, policia gjeti autorët.

“Si pasojë e një pune intensive u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve të mëposhtëm: Skënder Sina, 56 vjec nga Peqini, i dënuar për vrasje dhe Kujtim Met’hasa, 54 vjec nga Peqini. Për zbardhjen e kësaj vrasjeje u bashkëpunua ngushtë me policinë e Elbasanit dhe u kryen metodat speciale të hetimit”, ka deklaruar Valbona Begu, zëdhënëse e policisë së Elbasanit.

Ngjarja ka ndodhur në lokalin e viktimës, ku tre miqtë kanë qenë duke pirë me njëri-tjetrin dhe në gjendje të dehur është kryer akti kriminal.

Policia bën të ditur se shkaku i ekzekutimit të mikut të tyre të ketë një motiv banal ose grindje momentale, por gjthësesi mbetet ende për t’u hetuar.

Autorët e ngjarjes akuzohen për veprën penale “vrasje me dashje në bashkëpunim”. Policia ka sekuestruar armën e krimt në cilësinë e provës materiale.

Top Channel