Berisha: PS, qëndrime absurde të kryetarit

27/12/2010 19:45

Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka deklaruar se nuk ndihet i habitur nga vendimi i opozitës për t’u tërhequr nga komisioni hetimor.

Duke folur në seancën parlamentare, Berisha u është drejtuar deputetëve të opozitës duke iu thënë se për më shumë se një vit kanë paraqitur qëndrimet “absurde” të kryetarit të tyre.

“Së pari më duhet të theksoj se nuk jam i habitur për faktin se përse ju u tërhoqët tërësisht nga komisioni hetimor parlamentar. Ju harroni se muret e këtij Parlamenti kanë një memorje. Mediat e këtij vendi kanë një arkivë, qytetarët një memorje dhe kjo memorje thotë se ju, prej 1 vit e gjysmë u angazhuat në qëndrimin më absurd që Evropa ka njohur nga një opozitë e një vendi të lirë”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, deputetët socialistë gjatë gjithë kësaj kohe kanë ndërmarrë një mision të pamundur, për shkak të ideve “të errëta” të kryetarit të tyre, i cili sipas kryeministrit ka pasion vetëm shkatërrimin.

“Ju u angazhuat në një “mission impossible” dhe harruat se këto misione i ndërmarrin vetëm ata të cilët në politikë fakultetet mendore i kanë të errësuara tërësisht nga faktorët fondamentalistë dhe ekstremistë. Jo ndërtimi, por shkatërrimi është pasioni i parë. Kryetari juaj, që zbret nga një familje pushteti tjetër, del në skenën politike si zëdhënës kryesor i bllokmenëve, si produkt total i bunkerit-bllok, si një njeri që kjo psiqizëm, psikologji dhe mentalitet nuk i lejon që t’iu ofrojë shqiptarëve gjë tjetër por vetëm truke, shpifje, trillime dhe mashtrime”, ka pohuar Berisha.

Duke mos i ndaluar kritikat ndaj rivalit të tij politik, kryeministri ka theksuar se lideri i opozitës ka qenë gjatë gjithë kohës “armiku i betuar” i vullnetit të lirë të shqiptarëve.

“Ai u angazhua me gjithë potencialin e tij për të prishur zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa unë u angazhova për zhvillimin më të mirë të tyre. Prandaj unë pranova cdo kompromis që ai kërkoi, në mënyrë që ai të hynte në zgjedhje. Ky zotëri i humbi zgjedhjet dhe bëri cdo tentativë për të hyrë në koalicion me Sali Berishën. Unë s’kisha paragjykime, por doja opozitë dhe u formua koalicioni i integrimit”, ka theksuar Berisha, i cili ka shtuar se kryetari i PS ka tentuar të pengojë në vecanti procesin e liberalizimit të vizave.

Kryeministri ka kujtuar edhe propozimin e PS, ku nga 9 nene, në 8 prej tyre hetimi kërkohej vetëm në bazë të dyshimeve, gjë që sipas tij është e papranueshme.

Top Channel