Bien të ardhurat në buxhet

26/12/2010 17:35

Qeveria shënon një deficit të theksuar në mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Me gjithë planin e reduktuar në muajin korrik, sërish buxhetit i mongojnë 55 milion dollarë.

Defiçiti do të ishte edhe më i madh, por është kompensuar nga shitja e Hotel Dajtit.   

Edhe pse në korrik e uli planin e të ardhurave të parashikuara për t’u mbledhur në buxhet me rreth 30 miliardë lekë, qeveria sërish nuk po ia del dot ta realizojë atë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për 11 mujorin, qeverisë i mungojnë rreth 55 milionë dollarë nga taksat dhe burimet e tjera të të ardhurave që ajo ka.

Në fakt, të dhënat tregojnë se administrata tatimore dhe ajo doganore kanë krijuar një defiçit edhe më të madh se kaq, por qeveria e ka kompensuar këtë me paratë e arkëtuara nga shitja e Hotel Dajtit.

Nëse nuk do të ishin këto para, mosrealizimet në buxhet do të ishin gati 100 milionë dollarë. Dy vitet e fundit, administrata tatimore dhe ajo doganore po shënojnë rezultatet më të dobëta në mbledhjen e taksave.

Vitin e kaluar, të ardhurat nga taksat u ulën gati me 0.7 perqind, për herë të parë pas shumë vitesh rritje, duke arritur në 26.1 përqind të prodhimit të përgjithshëm kombetar.

Gjasat janë që edhe këtë vit, shifra të bjerë sërish duke iu afruar nivelit të vitit 2005, çka sinjalizon për rritje të evazionit fiskal.  

Por, me gjithë tkurrjen e të ardhurave, qeveria po e mban fort nën kontroll defiçitin buxhetor, për shkak se po ndjek një politikë të shtrënguar me shpenzimet.

Për 11 mujorin, defiçiti ose borxhi i ri i marrë nga shteti për këtë periudhë është 135 milionë dollarë më i ulët  nga plani, pasi qeveria ka kryer gati 200 milionë dollarë më pak shpenzime nga parashikimi në buxhet.

Zëri më i goditur është ai i investimeve publike, të cilat deri në nëntor janë 52 milionë dollarë më pak se plani i buxhetit dhe gati 100 milionë dollarë më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë.  

Top Channel