Beja: Rama të mos bllokojë zgjedhjet

22/12/2010 08:00

Partia Demokratike vazhdon të insistojë se do ta rrëzojë me votë kundër nesër në Parlament draftin që kanë depozituar socialistët në Kuvend.

Kjo gjë u bë e ditur dje edhe nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Fatos Beja, në një prononcim për mediat. Sipas Bejës, mazhoranca e ka kërkuar dhe nuk e ka penguar kurrë ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e shkuara, por ky komision duhet të ngrihet mbi parametra të qarta ligjore.

“Nuk është mazhoranca ajo që ka penguar ngritjen e komisionit hetimor, por opozita e cila për më shumë se një vit e gjysmë nuk vepron në institucione dhe në rrugë ligjore, duke shpërfillur kështu edhe fuqinë që do t’i jepte grupi i madh parlamentar”, doli në konkluzion Beja, duke shtuar se me probleme të mëdha ligjore ishte edhe drafti që opozita paraqiti së fundmi në Parlament.

Ngaana tjetër, Beja i bëri thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të mos besonte dhe të mos ndiqte idetë e aleatëve të tij për bllokimin e zgjedhjeve të shkuara.

“Edi Rama do të dështojë politikisht nëse vijon të mos mbështetet te forca e partisë që drejton, por tek idetë ekstreme të aleatëve për të bllokuar zgjedhjet vendore”, deklaroi Beja. Demokratët e vlerësuan antikushtetuese objektin e komisionit hetimor, pasi sipas tyre, kërkohej hetim mbi dyshime dhe jo mbi fakte.
Po antiligjore u cilësua dhe mënyra se si Partia Socialiste kërkonte të fitonte shumicën në komision, duke i dhënë kryetarit të drejtën e 3 votave, ndryshe nga ajo që më parë kishte premtuar Kryeministri Berisha për komisionin hetimor.  

Top Channel