PS, hapet debati antikorrupsion

19/12/2010 15:05

Erjon Brace, nënkryetar i grupit parlamentar të PS dhe një ndër figurat qendrore të kësaj force politike, ka bërë publike në detaje iniciativën e tij të hartuar në formen e një dokumenti angazhimesh që synon të shërbejë si udhërrëfyes i selisë rozë në luftën ndaj korrupsionit. 6 janë pikat kryesore mbi të cilat zoti Brace ka mbështetur këtë dokument.

“Kultura e ndëshkueshmërisë, penale e administrative, që është cënuar rëndë. Synojmë rithemelimin e kulturës së ndëshkueshmërisë për favorizuesit e korrupsionit dhe ata që e kryejnë atë”, ka deklaruar Brace.

Në këtë pikë zoti Brace propozon që përmes ndryshimeve ligjore të sanksionohet ndëshkim edhe më i rëndë për nivelin më të lartë të zyrtarëve të përfshirë në korrupsion.

Ndërkohë që ky ndëshkim, sipas tij, duhet të lehtësohet nga zhveshja e zyrtarëve prej imunitetit ligjor dhe politik.

“Kultura e ndëshkueshmërisë së zyrtarëve që ushtrojnë korrupsion të shtrihet tek pasuria e krijuar përmes korrupsionit, e cila duhet të konfiskohet”, ka pohuar Brace.

Sipas deputetit socialist, një tjetër pikë është edhe ndërtimi i një marrëdhënieje të re me sipërmarrjet, duke vendosur rregulla të barabarta të taksimit e konkurrencës, duke ndarë qartë, sic tha ai, partinë nga sipërmarrja dhe interesat e ngushta të saj.

Ashtu sic përfaqësimi politik në nivel vendor apo qendror duhet të ndodhë për individet pas heqjes dorë nga interesat private apo pronat private që krijohen dhe shtohen direkt apo indirekt në konflikt interesi me detyrën politike, duke i dhënë fund një fenomeni të njohur të tranzicionit politik në Shqipëri. “Të ndajmë qartë rolin e politikanit nga ai i biznesmenit”, ka nënvizuar Brace.

E kështu me radhë pika për mbrojtjen e pronave publike dhe kthimin e kompensimin e pronave private të vëna në rrezik nga pushteti i korruptuar që mund të grabisë, sipas Braces, cilindo. Në konkluzion deputeti socialist kërkon të qartësojë se:

“Ky dokument nuk synon të përmirësojë qeverinë e Sali Berishës, që në optikën time nuk mund të përmirësohet. Kjo qeveri duhet rrëzuar për shkak të politikave korruptive që ka instaluar në vend”, ka shtuar Brace.

Top Channel