The Economist: Shqipëria hibride

18/12/2010 20:05

Institucioni prestigjoz “The Economist Unit” duke matur indeksin e demokracisë, rendit Shqipërinë si regjim hibrid duke e zbritur tre vende më poshtë se viti 2008.

Sipas përfaqësuesit të Partisë Socialiste, kjo renditje do të thotë se Shqipëria është vetëm një hap larg regjimeve autoritare dhe ky është dështim i kryeministrit Berisha.

“Për të dytën herë rresht, në raportin Indeksi i Demokracisë, Shqipëria nuk klasifikohet si një vend demokratik, por si një regjim hibrid, pra si një regjim ku zgjedhjet kanë parregullsi të konsiderueshme dhe nuk janë të lira e të ndershme, ku qeveria ushtron presion mbi partitë opozitare, ku kultura politike, funksionimi i qeverisë dhe pjesëmarrja e publikut në politikë janë tejet problematike dhe jo të denja për një sistem demokratik”, tha deputeti socialist Ilir Beqja.

Indeksi i Demokracisë e rendit Shqipërinë të 84 ndër 165 vende. Jemi 3 vend më keq se në vitin 2008. Sali Berisha ka dështuar dhe ky dështim sot po bëhet i qartë për botën mbarë. Përpjekjet e Saliut për të asfiksuar demokracinë shqiptare, për të paralizuar institucionet, për të gjunjëzuar sistemin e drejtësisë dhe për t’ i mbyllur gojën medias së lirë sot janë kthyer në turpin e Shqipërisë duke na renditur vetëm një hap larg regjimeve autoritare”, theksoi Beqja.

Top Channel