Përmbytjet, Kosova ndihma për Shkodrën

17/12/2010 21:40

Nga Kosova vazhdojnë të nisen ndihma për Shkodrën e përmbytur. Aleanca Kosovare e Bizneseve në bashkëpunim me disa kompani vendore, kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar qytetin e Shkodrës me një ndihmë në vlerë 50 mijë euro, e cila përmban kryesisht artikuj ushqimorë dhe veshmbathje.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë të premten se ky është vetëm një hap i vogël për të ndihmuar Shqipërinë. Ai ka ftuar kompanitë e ndryshme kosovare që t’i bashkëngjiten kontingjentit të ndihmave, i cili do të niset nesër në mesditë për në Shqipëri.

Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, ka falënderuar AKB-në dhe kompanitë kosovare për iniciativën dhe gatishmërinë për të ndihmuar qytetin e Shkodrës dhe rrethinat.

Edhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka organizuar fushatën “Me ju”, për të mbledhur ndihma për familjet e përmbytura të Shkodrës. Gjatë një jave janë mbledhur ndihma për 100 familje.

Kryetari i PSUP-së, Selim Daku ka thënë se ndihmat janë siguruar nga kontributi vullnetar i studentëve dhe stafit akademik, por edhe nga 15 biznese në tërë territorin e Kosovës. Ndihmat janë kryesisht produkte ushqimore si vaj, miell edhe detergjentë. Ky kontigjent është nisur sot drejt Shkodrës.

Edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka autorizuar Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim për të ndihmuar Shkodrën. Ai u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi, që të të ndihmojnë, si me ushqime për njerëz por po ashtu edhe për bagëtinë.

Top Channel