Reaksioni zinxhir nisi dhe me sa duket, tani do të vazhdojë. Bashkimi Europian shprehet i hapur për nisjen e një hetimi mbi akuzat e hedhura në raportin e Dick Martit në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi për përfshirje në trafik organesh, armësh e droge.

Shtetet e Bashkuara u shprehën mbështetje të çdo proçesi hetimor mbi aludime të tilla e thanë nëpërmjet zëdhënësit të Departamentit të Shtetit J.P.Croley, se i marrin shumë serozisht të gjitha akuzat e besueshme për veprimtari penale.

Amnesty International kërkoi të njëjtën gjë. Organizata prestigjoze ndërkombëtare për të drejtat e njeriut i beri thirrje EULEX-it të fillojë menjëherë hetimet mbi akuzat se Thaçi ka qenë i përfshirë në rrëmbimin e individëve të përkatësisë serbe e shqiptare.

Në deklaratën për shtyp që nxori të mërkurën, Amnesty International i referohet raportit të përgatitur nga senatori i Asamblesë së Këshillit të Evropës që i paraqitet sot Komisionit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut.

Raporti pretendon se pas përfundimit të luftës në 1999-tën, serbë të Kosovës, por edhe shqiptarë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, janë rrëmbyer e jane dërguar në kampe në Shqipëri, ku më pas janë ekzekutuar, ndërsa organet e tyre janë marrë për trafikim.

Drejtori i Zyrës së Amnesty International për Institucionet Evropiane, Nikola Bezhe, shprehet se organizata mbështet thirrjen e Dik Marti drejtuar EULEX-it, që të ofrojë të gjitha burimet e nevojshme për të kryer një hetim të plotë dhe të pavarur lidhur me këto aludime.

Iniciativa, sipas tij, duhet të përfshijë edhe një program efektiv për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Gjatë 10 vjetëve të fundit, organizata për të drejtat e njeriut ka bërë disa herë thirrje për zbardhjen e fatit të serbëve, romëve dhe personave të tjerë të rrëmbyer pas përfundimit të konfliktit dhe për nxjerrjen para drejtësisë së autorëve të këtyre akteve.

Amnesty International fajëson UNMIK-un për mungesë suksesi në këtë drejtim, ndërkohë që shumë nga këto çështje kanë kaluar tani nga kompetencat e EULEX-it në duart e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm në Kosovë.

Edhe një tjetër grupim, organizata e të drejtave të njeriut, Humans Right Watch, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës të kërkojnë hetime të hollësishme dhe të paanshme penale për këto akuza.

Organet shqiptare të drejtësisë duhet të zhvillojnë hetimet në Shqipëri, ndërsa në Kosovë, duhet të jetë misioni i Bashkimit Evropian që t’i trajtojë këto çështje, thotë organizata në deklaratën e saj për shtyp.

Top Channel