Topi: Urgjent Gjykata Administrative

10/12/2010 16:55

Presidenti i Republikës mblodhi në Korçë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, me rastin e përurimit atje të godinës së re të Gjykatës. (UPDATE)

Presidenti shprehu bindjen e tij se nga pikpamja kushtetuese, drejtësia në Shqipëri është e pavarur.

“Por kjo dikton që të merremi me dy elementë që janë shumë të rëndësishëm: me integritetin e secilit gjyqtar dhe me profesionalizmin”, tha Topi.

Duke prekur çështjen e emrave për Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë, presidenti tha se në momentin që ka firmosur dekretet nuk i ka konsideruar kandidaturat si të miratuara. Sipas tij, Parlamenti ka fjalën e vet për të thënë. Por, kreu i shtetit, kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë mes Parlamentit dhe institucionit të tij:

“Vetëm bashkëpunimi sjell rritje të kërkesës së standardit për profesionalizëm dhe ku më shumë se në Korçë në këtë ndërtesë që të motivon ta japësh këtë mesazh, mund ta japësh këtë mesazh”, tha Topi.

Presidenti bëri edhe një thirrje për miratimin sa më parë të ligjit për Gjykatën Administrative. Ligji duhet të kalojë me shumicë të cilësuar, pra kërkon edhe votat e opozitës.

“Dëshëroj të jap edhe një mesazh tjetër që këtu nga Korça, që nevoja për krijimin e Gjykatës Administrative është një nevojë immediate”, është shprehur Topi.

Presidenti tha se kishte bindjen se ligji do të kalojë shumë shpejt në Parlament.

Top Channel