Kjo grua është femra e parë alpiniste shqiptare që në vitet ’60 kacavirrej majave më të larta të maleve të vendit tonë, duke lënë pas dhe meshkujt.

Për të takuar veteranen e alpinizmit kemi shkuar në Korçë dhe ku mund të bisedojmë tjetër, përveç pranë malit, dashurisë së jetës së saj.

Sot Tefta Zguro është 73 vjeç. Vazhdon të jetë në formë shumë të mirë fizike aq sa ne e kemi të vështirë ta arrijmë në ecjen e saj të zakonshme.

Mali i Moravës e pret pothuaj çdo ditë vizitoren e tij të pandashme që këtë majë e ngjit për gjysmë ore. Na fton t’i bashkohemi por e shmangim me lezet këtë kërkesë të saj, kur përftyrojmë se ç’na pret përpara.

E ftojmë të na tregojë për kohën  kur ajo sfidonte majat më të larta dhe për hedhjen poshtë të mentalitetit se alpinizmi është sport për meshkuj.

“Kam qenë në kushte të barabarta me meshkujt dhe madje kam arritur t’ua kaloj atyre”, shprehet Tefta.

Ngjitja e parë e vëshirë në kujtesën e saj, është fiksuar në datën 8 mars të vitit 1960 kur u ngjit në majën e Papllukës mbi 2500 metra të lartë: “Ishte dita e 8 Marsit. U nisëm 18 veta dhe arritëm 6. Vetëm unë arrita nga femrat.”

Por çfarë duhet të ketë një femër alpiniste që të arrijë të mposhtë natyrën? Sipas Teftës, çelësi është guximi dhe përgatitja fizike.

“Stërviteshim duke bërë rrugën Tiranë-Durrës duke mbajtur në kurriz 20 kg rërë. Duhet të përgatiteshim fizikisht”, tregon alpinistja.

Për Teftën, femra ka po aq potencë sa mashkulli dhe se këtë e zbulon më së miri  alpinizmi që është kombiminim i përgatitjes fizike dhe asaj intelektuale.

Momenti më i rrezikshëm për të ka qenë gjatë një ngjitjeje në grykën e Valbonës në malin e Valit, ku një gur i shkëptur nga mali këputi litarin në të cilën mbahej e siguruar Tefta.  

“Unë nuk e dija që litari ishte këputur dhe po e ngjitja me siguri malin dhe kur arrita atje më thanë të tjerët”, kujton Tefta.

Emocionet e kanë pushtuar më vonë, pasi e mori vesh për këputjen e litarit, por momenti më i frikshëm për të ka qenë ai kur kolegut të saj i është rrezikuar jeta gjatë një ngjitjeje në Gjermani.

“Kolegu im po ngjitej para meje dhe shkau. U hodha dhe unë dhe na mbajti gozhda të varur. Në atë rast kam ndrydhur këmbën”, pohon Tefta.

Për Teftën, Alpet kanë qenë shtëpia e saj e dytë. Kujton me nostalgji malësorët që  sa herë ajo dhe kolegët e saj ngjiteshin, u luteshin të hiqnin dorë sepse s’do ktheheshin më. Por nuk do harrojë kurrë ato fshatarët që me mosbesim i thonin se s’do arrinin kurrë të ngjiteshin tek maja e Capit, një mal prnë Korçës ku sipas legjendës ishte ngjitur cjapi meqe ujku s’e arrinte dot. Përveç lartësisë, vëshirësia qëndronte tek përbërja e gurit që thërrmohej.

Dhjetë vitet e alpinizmit Teftës i kanë dhënë shumë çmime e dekorata. Ajo më e veçanta për të, është dedikimi që i kanë dhënë nxënësit gjatë profesionit të saj si mësuese. Ata e kanë quajtur Mbretëreshën e Maleve. Dhe ajo vazhdon të jetë ende sot me ndjesinë e paharrueshme që e bën një alpinist të harrojë gjithë lodhjen e stërmundimin gjatë ngjitjes në majë.

“Kur arrin majën të duket sikur zotëron Botën. Je më afër Zotit se të tjerët”, përfundon Tefta.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel