Selami: Azemi, tribun i demokracisë

09/12/2010 21:45

Eduart Selami, ish-kryetar i PartisëDemokratike deri në vitin 1995, u shpreh se Azem Hajdari ishte ai që e frymëzoi për të marrë pjesë në lëvizjen studentore të dhjetorit.

Duke folur në emisionin ‘Top Story’ në Top Channel, Selami theksoi se “rrëzimi i komunizmit është një nga momentet më të rëndësishme historike për Shqipërinë” dhe se është nder pjesëmarrja në të.

“Nuk ka logjikë të thuash se diktatura nuk ishte më ajo e mëparshmja. Spekullimet duan të ulin vlerën e arritjes së lëvizjes studentore. Diktatura më e egër në Europë, e cila disa muaj më përpara vriste njerëz në kufi, nuk kishte rënë” u shpreh Selami.

Selami u shpreh për fillesën e lëvizjes: “Unë jetoja në Qytetin Studenti, isha pedagog i ri dhe mu duk serioze. Pati pedagogë që erdhën atje si Arben Pepa dhe mezi prisnim rastin që të ndaheshim nga komunizmi. Më vonë u bë një grupim, së bashku me Zef Brocin. Por, në atë kohë duhet të mendohej për të afërmit sepse frika ndaj diktaturës ekzistonte akoma.”

Kjo frikë çoi në ngurime për pjesëmarrjen në këtë lëvizje: “Po fillonte të ndihej fryma e lëvizjes nga Rënia e Murit të Berlinit, por sërish ekzistonte frika dhe ngurimi. Azem Hajdari ishte ai që më hoqi çdo lloj dyshimi, më dha shtytjen përfundimtare. Azemi ishte një tribun i demokracisë i cili nuk ka marrë meritat që i takojnë.”

Përsa i përket faktit se nga kjo lëvizje pati nga ata që “mbijetuan” në politikë dhe të tjerë jo, Selami u shpreh se “lëvizja ishte e hapur për këdo.”

“Azemi mbijetoi sepse kishte karizëm, ishte lider. Po ashtu edhe Berisha. Ato që nuk mbijetuan nuk kishin ç’ofronin më”, shtoi Selami.

Top Channel