Në prag katastrofe!

09/12/2010 16:10

Ekspertët lëshojnë alarmin se digat janë shndërruar tashmë në një kërcënim serioz për Shqipërinë.

Profesor Niko Naska ish-drejtor i digave në Ministrinë e Ekonomisë, aktualisht, pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë thotë se prerja e pyjeve dhe erozioni masiv i kanë mbushur basenet me prurje të ngurta duke ulur koeficentet e sigurisë.

”Duke u mbushur me prurje të ngurta kthehen në fusha uji dhe do të depozitohen në pjesën e poshtme që në rastin e kaskadës së Drinit, është Nënshkodra dhe katastrofat po na trokasin”, u shpreh profesor Naska.

Por 8 digat e hidrocentraleve nuk janë kërcënimi i vetëm. Shqipëria ka gjithsej 654 diga të shtrira në gjithë vendin duke qenë një nga vendet e para në Evropë për numër digash për frymë, ku pjesa dërrmuese shërbejnë për bujqësinë. Profesor Naska thotë se këto janë kërcënimi më i madh.

“Jane rreth 190 vepra bujqesie që jane kontrolluar ne menyre te vazhdueshme me nje projekt te vecante te Bankës Botërore. Kerkohet nderhyrje e menjehershme dhe Ministria e Bujqesise i ka te qarta keto probleme”, thotë Naska.

Pjesa dërrmuese e digave janë ndërtuar para 30 ose 40 vjetësh dhe ne vite janë amortizuar. Por vec kësaj ka dhe një tjetër faktor që rrit rrezikun.

“Siguria e digave eshte ne varesi te numrit te banesave qe jane bere ne pjesen e poshtme. Deri ne vitin 90 numri i banesave ka qene zero, sot diga nuk e ka ate siguri per te siguruar jeten e banoreve qe ndodhen ne pjesen e poshtme “, tha Naska.

Top Channel