Shiroka e shkatërruar nga uji

08/12/2010 19:30

Lagjia turistike e Shirokës në Shkodër është më e izoluara për shkak të përmbytjeve të liqenit.

Për të shkuar në këtë lagje duhet të udhëtosh mbi 40 minuta me varkat me motor dhe vetëm nëse moti është i mirë.

Varkat e banorëve lëvizin për të marrë furnizimet ushqimore për shkak se rezervat në këtë zonë kanë përfunduar.

Varkat për në Shirokë nisen nga një port i vogël në mesin e pallateve në lagjen Xhabije të qytetit. Rruga ujore kalon sipër rrugës rrugore, e cila ndodhet nën ujë në thellësi të madhe mbi një metër.

Në anë të liqenit dallohen lokalet që u ka mbetur jashtë vetëm catia. Ndërkohë, gjendja është edhe më e rëndë në brendësi të kësaj zone të banuar.

Dëmet janë shumë të mëdha në banesat, lokalet dhe njësitë tregtare buzë liqenit, të cilat pothuajse janë shkatërruar.

Shumë hotele të vogla të zonës janë mbuluar nga uji dhe pajisjet brenda tyre kanë dalë jashtë cdo funksioni.

“Këtu ka kaluar uji. Gjithcka është shkatërruar, s’kam cfarë të bëj. Kjo punë nuk bëhet kështu, që për dy orë të vijnë 10 metra ujë”, deklaron Vehbi Ujka, banor i Shirokës.

Në krahasim me një ditë më parë ka patur një rënie të nivelit prej 40 cm. Në rrugët e Shirokës ka nisur të dalin në sipërfaqe rrjetat e peshkatarëve të zonës, të shkatërruara nga prurjet  e mëdha.

Top Channel