8 Dhjetori, Godo: S’është bërë sa duhet

08/12/2010 19:20

Kryetari i nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, duke komentuar situatën politike në Shqipëri 20 vjet pas lëvizjes së dhjetorit, ka deklaruar se subjektet e sotme politike nuk ndryshojnë shumë nga partia e regjimit komunist.

“Janë disa gjëra që duheshin ndryshuar që në fillim, por që kanë mbetur si fjalë. Partitë kanë të njëjtën strukturë si ato të partisë komuniste, vetëm se ndryshojnë emrat e forumeve. Kjo dëmton shoqërinë civile në tërësi”, ka pohuar Godo.

Në një intervistë për VOA, ai është shprehur se në këto 20 vjet Shqipëria mund të kishte arritur shumë më tepër dhe jo vetëm heqjen e vizave.

“Përshtypja ime është se bëjmë më pak nga sa kemi mundësitë. Harxhojmë më pak kohë për gjërat e rëndësishme, duke i hapur probleme vendit tonë”, ka nënvizuar Godo.

Ai ka shtuar më tej se kjo ka ardhur si pasojë e luftës së klasës politike për interesat e saj dhe jo për ato të Shqipërisë.

“Nuk ka më luftë ideologjike mes partive, por ka vetëm luftë për pushtet. Kur mbërrin në pikën e ngopjes fillon edhe ndryshimi dhe unë pres që ndryshimi të fillojë pasi njerëzit nuk durojnë dot më”, ka shtuar Godo.

Top Channel