Studentët, komisionerë rezervë në zgjedhje

07/12/2010 09:00

Problemet e administrimit zgjedhor të konstatuara më 28 qershor 2009, po përfshihen në punën përgatitore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me qëllim mospërsëritjen e tyre.

Kështu, në mbledhjen e djeshme, ky institucion ka miratuar pa debat dhe me unanimitet të plotë strategjinë e trajnimit të komisionerëve të komisioneve të nivelit të dytë, të tretë, por edhe të grupeve të numërimit, për të mbërritur sot në diskutimin e çështjes së ndarjes së Zonave të Administrimit Zgjedhor për bashkitë që kanë më shumë se 100 mijë zgjedhës.

Përcaktimi i afateve, cilësia dhe metodologjia e trajnimit, si dhe certifikimi janë disa nga problemet kryesore, të cilat janë vazhdim i idesë së KQZ-së, mbështetur edhe nga OSBE-ja, për krijimin e një baze të dhënash për komisionerët, që synohet të jenë i njëjti kontingjent.

Risia e kësaj strategjie është aspekti parandalues i saj, në kuptim të zgjidhjes dhe shmangies së disa problemeve të hasura më parë, si pasojë e manovrave të partive politike.

Bëhet fjalë për çështjen e zëvendësimit të komisionerëve në momentet e fundit, duke i diktuar kështu KQZ-së emërimin nëpër këto detyra të personave të patrajnuar dhe të vendosur nën kontrollin e plotë të partive politike.

Për të minimizuar apo kufizuar këtë problem, KQZ-ja ka vendosur dje të përfshijë në trajnimin e vet edhe studentë, apo edhe persona të tjerë jashtë kontingjentit të komisionerëve të sugjeruar nga partitë politike, të cilët do të shërbenin si rezervë e njerëzve të kualifikuar, në rast se zëvendësimi në momentet finalizuese të procesit zgjedhor do të ishte i pashmangshëm.

Top Channel