Arvizu: Të forcojmë lidhjet mes nesh

06/12/2010 13:20

Presidenti i Republikës Bamir Topi priti sot Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Armando Arvizu.

“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë dy vende mike të ngushta dhe aleate në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe promovimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në mbarë botën siç e ka demonstruar roli pozitiv dhe moderator në rajon dhe kontributi i forcave paqeruajtëse shqiptare në Irak dhe Afganistan” – theksoi ambasadori Arvizu. Kryediplomati amerikan në vendin tonë, sipas njoftimit të presidencës shtoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij do të punojë që: “lidhjet e forta mes dy popujve të forcohen dhe thellohen edhe më tej.

Ky takim ishtë në kuadër të paraqitjes së letrave kredenciale të ambasadorit të ri amerikan në vendin tonë.

Nga ana e tij, presidenti Topi ritheksoi vendosmërinë e shtetit shqiptar dhe angazhimin për të qenë gjithnjë partner i vendosur përkrah SHBA-së, në të gjitha sipërmarrjet e saj, në funksion të thellimit të reformave demokratike, të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në botë.

Kryetari i Shtetit vlerësoi mbështetjen, kontributin dhe rolin e jashtëzakonshëm të SHBA-së si aktor i rëndësishëm në thellimin e proceseve reformuese demokratike, forcimin e institucioneve në Shqipëri dhe përmbushjen e standardeve në funksion të integrimit euroatlantik të vendit.

Top Channel