Tiranë, vritet me thikë një 40 vjeçar

05/12/2010 19:25

Një 40 vjeçar humbi jetën në orët e mbrëmjes pasi kishte marrë plagë të rënda në trup, gjatë një konflikti në një lokal në Laprakë.

Policia sqaroi se ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “Pallatet e Malajzianit”. Policia e cila u lajmërua nga kalimtarë të rastit pak çaste pasi kishte ndodhur vrasja u vu menjëherë në ndjekje të autorit të krimit, Ferat Skataj duke e arrestuar atë në Kamëz.

Sipas hetimeve paraprake të policisë, autori i krimit dhe viktima kanë qenë klientë në të njëjtin lokal dhe kanë filluar të konfliktohen. Më pas autori i vrasjes Skataj, ka nxjerrë thikën duke e goditur disa herë në trup shtetasin Petrit Mataj. Ai ka plagosur rëndë edhe shtetasin Dritan Murati, i cili hyri në konflikt për të ndihmuar viktimën.

Të dy të dëmtuarit u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku njëri humbi jetën, ndërsa shtetasi Dritan Murati vazhdon të jetë në gjendje të vështirë shëndetësore.

Pasi ka kryer vrasjen 34 vjeçari Skataj është përpjekur t’i fshihet policisë, por nuk ka mundur dot.

Top Channel