Vorio Epiri, “bashkimi i parealizueshëm”

04/12/2010 08:25

Një studim i bërë publik ditët e fundit bën të ditur se Greqia po braktis ambiciet për pretendimet e të ashtuquajturit “Epiri i Veriut” dhe prej vitesh ka ndryshuar strategjinë, duke e këmbyer atë me depërtimin e biznesit grek në Shqipëri.

Dalja në disa media e këtij studimi, që në fakt nuk është bërë publik, është cilësuar si një “tradhti” nga partitë nacionaliste, të cilat kanë akuzuar qeverinë se, për hir të interesave ekonomike, po shet interesat e “vëllezërve verio-epiriotë”.

Sipas burimeve që i referohet gazeta e njohur greke “Elefterotipia”, Ministria e Jashtme e Greqisë i kërkoi ELIAMEP-it, përkatësisht Fondacionit për Politikë të Jashtme dhe Europiane që të studiojë mundësitë e bashkimit të Epirit të Veriut me Greqinë, duke marrë parasysh dhe mundësitë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Një ekip me 12 ekspertë, kryesisht diplomatë dhe gazetarë kanë ardhur në Shqipëri për të parë si mund të arrihet në mënyrë paqësore bashkimi i të ashtuquajturit “Epiri i Veriut” me Greqinë.

Referencat që dalin nga një raport sekret, që nuk është bërë publik nga ELIAMEP, në lidhje me interesat kombëtare të Greqisë, mbërritën në Shqipëri dhe u drejtuan nga ambasadori i asaj kohe i Greqisë në Shqipëri, Alessandro Mallias, të cilët arritën në konkluzionin se “Greqia nuk duhet të shqetësohet nga një bashkim me “Epirin e Veriut”, pasi është krejt e pamundur që labët dhe çamët t’i bashkohen interesave kombëtare të Greqisë.

Top Channel