Topi thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare

04/12/2010 08:50

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndërpret me urgjencë vizitën e tij në Kazakistan, për të ardhur në Shqipëri pas emergjencës së krijuar nga përmbytjet në Shkodër dhe pjesë të tjera të vendit.

Kreu i shtetit shqiptar do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të marrë masat urgjente, por edhe për të nxjerrë përgjegjësitë e arritjes së kësaj situate, ku një numër i madh banorësh ndodhen nën ujë, si pasojë e përmbytjes së banesave, por edhe të të mirave materiale.

Institucioni që drejtohet nga Presidenti dhe ku marrin pjesë drejtues të qeverisë, ministra por edhe përfaqësues të Parlamentit, ushtrisë, policisë dhe Shërbimit Informativ do të diskutojnë për rrezikun që i kanoset sigurisë kombëtare të vendit, nga një gjendje e rëndë e krijuar jo thjesht në përmbytjen e shumë sipërfaqeve të tokave, por edhe rrezikut që i kanoset vendit nga rritja e nivelit të digave të hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin.

Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka nisur përgatitjet dje paradite për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar në lidhje me situatën e rënduar nga përmbytjet në Veri dhe në pjesë të tjera të vendit.

Duke lënë me urgjencë Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të OSBE-së që po mbahet në Kazakistan, Presidenti Topi, nëpërmjet një deklarate për shtyp, bëri të ditur se po nis përgatitjet për mbledhjen e këtij forumi të rëndësishëm, i cili mblidhet në rastet e fatkeqësive natyrore ose për çështje të tjera të sigurisë së një vendi.

Top Channel