Bode: Kontroll parave të donatorëve

04/12/2010 09:00

Në 20 vite nga hapja e vendit me botën, ndihmat e donatorëve kanë qenë të shumta, aq sa llogariten në miliarda dollarë.

Të paktën kështu pretendojnë organizmat e huaja që kanë financuar vendin tonë për vite me radhë, kur bie fjala për kontributin që kanë dhënë.

Por në fakt, po të pyesësh ministrin e Financave, njeriu që duhet të ketë njohurinë më të plotë rreth fondeve që japin të huajt, përgjigjja e tij do të ishte: nuk ka disiplinë.

Pra, janë dhënë para në shifra të konsiderueshme, por nuk dihet se sa dhe ku kanë vajtur.

Në takimin e zhvilluar dje me donatorë të ndryshëm, organizuar nga ambasada e Zvicrës, ministri i Financave, Ridvan Bode, shtroi një sërë problematikash me projektet që menaxhohen nga të huajt.

Në tryezën e takimit merrnin pjesë drejtuesit e institucioneve kryesore donatore, si dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.

Pasi foli në fillim për buxhetin e shtetit dhe çfarë impakti sjell për ekonominë, ministri Bode u fut direkt në thelbin e problemeve reale që ka qeveria me donatorët.

Top Channel