Përmbytet edhe autostrada

03/12/2010 20:10

Emergjenca nga veriu i vendit zhvendoset në Tiranë. Rreth orës 12 të mesditës së të premtes autostrada Tiranë-Durrës u bllokua për shkak të rreshjeve të dendura të shiut.

Autostrada u mbulua nga sasi të mëdha uji në kthesën e Kasharit, e cila detyroi policinë rrugore të marrë masa për të bllokuar autostradën në të dyja kahët për të shmangur aksidentet e mundshme.

Përmbytjet preken dhe Vorën ku disa shtëpi u rrethuan me të paktën 50 centimetra ujë dhe rrezikojnë shembjen për shkak të rrëshkitjes së dherave.

Në momentin e daljes se ujit në rrugë në mesditë, autostrada u përfshi nga kaosi dhe shumë prej automjeteve mbeten të bllokuar, për t’u larguar më pas edhe me ndihmën e policisë nga rrugët dytësore të autostradës.

Forca të shumta policore u instaluan në orët e mesdites në hyrjet e autostradës për të ndaluar drejtuesit e automjeteve të zgjedhin kalimin në autostradë.

Policia lajmëron të gjithë drejtuesit e automjeteve që të përdorin aksin e vjetër rrugor, atë të Ndroqit që lidh Tiranën me Durrësin e cila është e sigurt.

Situata e rëndë u krijua paradite edhe në qytetin e Durrësit. Një stuhi e fortë goditi qytetin bregdetar, për rreth 30 minuta, duke shkarkuar vërshimin e ujit në të gjitha rrugët e qytetit.

Në hyrje të qytetit dhe në disa lagje periferike niveli i ujit u rrit ndjeshëm në rrugë duke paralizuar lëvizjen.

Përmbytja përfshiu edhe disa ndërtesa në katet e para dhe dyqane.

Ndërkohë që është ndërprerë puna në portin detar për shkak të stuhisë dhe erës së fortë.

Anijet për disa orë nuk janë përpunuar, ndërsa një target linjë ka patur vështirësi të mëdha në ankorim.

Top Channel