Oferta e opozitës, Patozi: Do ta shqyrtojmë me seriozitet

03/12/2010 13:40

Kryetari i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi deklaroi se mazhoranca do të trajtojë dhe shqyrtojë me seriozitetin më të madh ofertën e fundit të opozitës për zgjidhjen e ngërcit politik.

Në një prononcim për mediat të pak minutave më parë, Patozi theksoi se mazhoranca është e hapur për cdo hetim në përputhje me vendimet e Gjykatave dhe Kushtetutën.

Partia Socialiste depozitoi zyrtarisht ofertën e saj për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Hetimi i materialeve zgjedhore dhe heqja dorë nga fletët e votimit është kthyer tanimë në versionin zyrtar të opozitës për sa i përket trajtimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, të mbetura ende si thelbi i axhendës politike.

“Në këtë hetim nuk mund të përfshihen fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Hetimi i këtij komisioni do të bazohet në shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor, me përjashtim të fletëve të votimit”, thuhet në kërkesën e PS e cila ka sugjeruar që Kuvendi të miratojë një vendim të posaçëm për këtë gjë.

Top Channel