“Rebelët”: Pse qëndruam në Kuvend

03/12/2010 20:40

Arben Malaj dhe Andis Harasani, dy deputetët e Partisë Socialiste që propozuan paketën e ndryshimeve në buxhet shpjegojnë arsyet se pse vendosën të qëndrojnë në sallën e Kuvendit edhe pas largimit të grupit parlamentar socialist.

“Është e papranuenshme për një deputet që të bëj amendamente dhe pastaj të largohet. Mendoj se ka pasur një keqkuptim sepse nuk besoj kurrë që grupi i Partisë Socialiste do na linte vetëm për një qëndrim që ne e kemi bërë publik”, është shprehur Harasani.

“Partia Socialiste duhet të tregojë se veç oponencës që i bën mazhorancës di edhe të paraqesë qeverisje alternative dhe tre rastet më të rëndësishme për këtë janë buxheti, mbrojtja e institucioneve kushtetuese dhe demokratizimi i saj si forcë politike”, theksoi Malaj.

Të dy deputetët deklarojnë se nuk kanë thyer qëndrimin e forcës politike dhe grupit parlamentar që ata përfaqësojnë.

“Është e qartë kur kërkohet një qëndrim solidar dhe kur kërkohet ky qëndrim në votë që botohet kundër. Në këtë rast ne jo thjeshtë votuam kundër, por tentuam që bashkë me kolegët gjatë gjithë asaj seance të qartësonte se përse është e nevojshme dhe e domosdoshme pikërisht ky debat publik se ku po shkon ekonomia e vendit”, tha Malaj.

Paketa e dy deputetëve socialiste propozonte disa ndryshime të buxhetit, ku më kryesoret ishin planifikimi i një rritje më realist ekonomike dhe uljen e borxhit që qeveria parashikon të marrë vitin e ardhshëm. Por mazhoranca i rrëzoi amendamentet.

Qeveria pranoi vetëm dy nga propozimet e opozitës, atë të kompesimit të pushteti vendor për pagesën e kasave fiskale dhe një skedulim më realist të financimeve për investimet publike.

“Mendoj se nëse do kishin qendruar të gjithë dhe do kishim bërë një luftë më të fortë në parlament, ndoshta do ishin kaluar të gjithë amendamentet”, theksoi Harasani.

Top Channel