Topi: OSBE, rol te rëndësishëm për stabilitetin e rajonit

02/12/2010 15:10

11 vjet pas samitit të fundit të OSBE-së, samiti i mbledhur në Astana të Kazakistanit synon t’i japë një impuls të ri organizatës. Por për Shqipërinë, rregullat e funksionimit duhet të mbeten të njëjta.

“Në vizionin tonë, rigjallërimi i OSBE-së dhe rritja e efektivitetit të saj duhet bërë duke ruajtur tiparet themelore të Organizatës: rregullin e konsensusit, fleksibilitetin, qasjen bashkëpunuese në zbatimin e angazhimeve nga shtetet pjesëmarrëse dhe mandatin gjithëpërfshirës”, tha presidenti Topi. Presidenti Topi vlerësoi OSBE-në në stabilizimin e Ballkanit.

“OSBE-ja, nëpërmjet Misioneve në terren, ka luajtur një rol historik të pamohueshëm. Këto misione kanë shërbyer si instrumente në menaxhimin e situatave të krizës dhe forcimin e dialogut midis palëve. Prania e gjerë e OSBE-së në Ballkanin Perëndimor, aktualisht me 7 misione në terren, duhet konsideruar si një aset në rrugën e rajonit drejt konsolidimit të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të tij”, tha Topi.

Sipas Presidentit Topit, në realitetin e ri gjeopolitik pas pavarësisë së Kosovës, Shqipëria mbështet dialogun e drejtpërdrejtë Kosovë-Serbi, por si dy shtete të pavarura dhe sovrane dhe për çështje teknike. Sipas kreut të shtetit, ky dialog duhet të udhëhiqet nga parimet e Aktit Final të Helsinkit, veçanërisht në respektimi e integritetit territorial dhe fqinjësisë së mirë.

Top Channel