Shqipëria me ambasador amerikan

02/12/2010 21:30

Me të mbërritur në tokën shqiptare, pak pas mesditës, ambasadori i ri amerikan, Alexander Arvizu, me një karrierë të gjatë diplomatike, është kujdesur që fjalën e parë ta thotë në gjuhën shqipe.

“Mirëdita. Isha gati të thoja mirëmëngjes”, ka thënë ai.

Aleksander Arvizu, i cili bëri betimin si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri rreth një muaj më parë, ka lindur në një bazë ushtarake në Japoni, nga një nënë japoneze dhe një baba me origjinë meksikane.

Ambasadori Arvizu ka mbuluar cështjet aziaike në Departamentin e Shtetit dhe Këshillin Kombëtar të Sigurisë, që do të thotë se nuk është shumë familjar me cështjet e rajonit ballkanik.

Një gjë që ambasadori Arvizu e thekson që në fillim në komunikimin e tij me mediat shqiptare.

“Unë jam i porsaardhur në këtë rajon. Kam shumë për të mësuar, por jam shumë shumë i emocionuar për këtë mundësi. Duket se me çdo muaj që kalon, Shqipëria vazhdon marshimin e pandalshëm drejt integrimit më të ngushtë me bashkësinë euro-atlantike. Mendoj se ky është një zhvillim shumë pozitiv. Por, duhet t’ju them se më duket veçanërisht prekëse, si ambasador amerikan, fakti që të gjithë me të cilët kam folur kanë thënë se populli shqiptar ka një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan. Dhe për një ambasador amerikan që sapo mbërrin, nuk mund të ketë ndjenjë më të bukur se kjo”, është shprehur Arvizu.

Si cdo ambasador tjetër amerikan, zoti Arvizu e di fort mirë rëndësinë e vendit që përfaqëson në politikën e brendshme të Shqipërisë dhe natyrisht, ndikimin e vendit të tij në cështje kyce.

Të tilla Shqipëria ka disa, por cështja më e rëndësishme që mbetet e pazgjidhur është ngërci politik në vend.

Në komunimin e parë me median shqiptare, ambasadori Arvizu nuk preku ndonjë cështje me detaje, por la të kuptohet se axhenda e tij diplomatike në Tiranë do të jetë e ngarkuar.

“Di se ka shumë punë për të bërë. Jam i ndërgjegjshëm se jo gjithçka ka për të qenë e lehtë, por më shumë se çdo gjë pres me padurim të takoj popullin e mrekullueshëm shqiptar. Do të ketë shumë punë për të bërë këtu në kryeqytet dhe pashmangshmërisht ambasadorëve u duhet të kalojnë shumë kohë në kryeqytet”, ka deklaruar Arvizu.

Kur foli në Senatin amerikan për situatën politike në Shqipëri, në gusht të këtij viti, ambasadori Arvizu, mes të tjerash, shprehu opinionin se klasa politike në Shqipëri duket sikur është më e interesuar për rivalitetet brenda vetes, sesa për mirëqënien e qytetarëve të saj.

Duke qenë i bindur se vetëm një dialog konstruktiv mes palëve do ta cojë Shqipërinë përpara, duket se ambasadori amerikan do të luajë një rol aktiv edhe në publik.

“Faleminderit shumë që erdhët. Jam absolutisht i lumtur që jam këtu. Jam i sigurt se do t’ju rishoh shpejt dhe shpesh. Faleminderit”, është shprehur në fund ambasadori.

Top Channel