Meli: “Zharra”, përgjegjësi e qeverisë

02/12/2010 21:55

Kryetari i bashkisë së Patosit, Bardhi Meli ka bërë përgjegjëse qeverinë shqiptarë, për dëmet materiale që u janë shkaktuar banorëve të Zharrës, në Fier, gjatë kërkimeve për naftë.

Kërkimet për naftë u zhvilluan në vitin 2009 nga kompania e huaj “Bankers”, e cila përdorte teknologjinë e injektimit të ujit me presion.

“Akuza ime shkon drejt qeverisë dhe tek institucionet e saj, të cilat nëse do të kishin reaguar në kohën e duhur do të ishte zbardhur në mënyrë shkencore përgjegjësia”, ka deklaruar Meli.

Gjatë kërkimeve për naftë që u zhvilluan në pusin numër 646 të Zharrës, teknologjia e injektimit të ujit me presion shkaktoi tronditjen e shtëpive të zonës, si dhe dëme të konsiderueshme materiale duke i kthyer banesat në ndërtesa të pabanueshme.

Deklaratën e tij kryebashkiaku Bardhi Meli e bëri në edicionin e sotëm të emisionit “Top Story”, që trajtoi dokumentat e publikuara nga themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, ku preket cështja në fjalë.

Top Channel