Albana Vokshi sërish në prokurori

02/12/2010 20:05

Albana Vokshi thirret për herë të dytë në prokurori, plot katër muaj pasi personi me të cilin ajo bashkëjeton, Arjan Tartari, dëshmoi në prokurorinë e Tiranës për dosjen “Tirana Rroks”.

Albana Vokshi ka folur përpara prokurorëve të cështjes për plot dy orë, ndërkohë që burimet zyrtare dhe jozyrtare u treguan tepër të rezervuara për të hedhur dritë mbi dëshminë e zonjës Vokshi, dhënë në cilësinë e personit që ka dijeni.

Burimet shtuan se deputetja Vokshi është pyetur jo vetëm mbi deklaratat e saj publike gjatë verës, kur thoshte se aksionerët e “Vision Construction”, mes të cilëve edhe biznesmeni Arjan Tartari, i kishin ofruar Dritan Avllajt 20 për qind aksione në shkëmbim të lejeve të ndërtimit për një bllok pallatesh tek liqeni artificial, por ka dëshmuar edhe për dosjen e koncesioneve të naftës, ku Arjan Tartari rezulton aksioner në kompaninë që fitoi të drejtën e shfrytëzimit të 4 vendburimeve dhe për të cilat është akuzuar publikisht nga opozita zonja Vokshi për konflikt interesi.

Hetimet për dhënien e koncesioneve të naftës nga qeveria për “Stream Oil” nisën për të verifikuar mënyrën si ishin zgjedhur firma fituese, si dhe nëse kishte patur ndikim të mundshëm për përzgjedhjen e kësaj firme fituese nga deputetja Vokshi, në kohën që ishte këshilltare ekonomike e kryeministrit dhe anëtare e komisionit të ofertave.

Sipas burimeve, zonja Vokshi ka pranuar se vendimet nuk kanë qenë të sajat, por kolegjiale. Nga ana tjetër, nuk dihet se cfarë ka dëshmuar në detaje zonja Vokshi për cështjen “Tirana Rroks” tek liqeni, për shkak se burimet u treguan tepër të rezervuara.

Më parë në prokurori për këtë dosje ka dëshmuar Rrahman Selmanllari, deklarata e të cilit hapi polemika sepse ai fillimisht u kishte thënë hetuesve që kishte bërë biznes me Dritan Avllajin, gjë të cilën e mohoi më pas nëpërmjet avokatit të tij mbrojtes.

Megjithatë, prokuroria i ballafaqoi më pas biznesmenët me njëri-tjetrin, por zyrtarisht nuk jepet asnjë version se në cfarë përfundimi kanë mbërritur prokurorët pas dëshmive të tyre.

Top Channel