Shpallet fatkeqësia natyrore

01/12/2010 15:30

Qeveria shpalli për herë të dytë gjatë këtij viti gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të situatës kritike në Kaskadën e Drinit.(UPDATE)

Kryeministri lajmëroi në mbledhje të qeverisë se qeveria po evakuon banorët e zonës së Nënshkodrës

“Në këtë mbledhje, ne do të vendosim për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në qarkun e Shkodrës, pasi ecuria e prurjeve nga të gjitha anët e bën të domosdoshëm evakuimin e shpejtë të popullatës. Prej shumë ditësh, prurjet, të marra së bashku, në kaskadë arrijnë në 3000 m3/në sekondë. Ditët e fundit, prurjeve të paprecedent të lumenjve të Alpeve që kanë arritur në 1800-2000 e më shumë m3/në sekondë i janë shtuar edhe prurjet me mesatarisht 1300 m3/në sekondë të Drinit, çka bën të detyrueshëm shkarkimin më të madh nga portat e liqenit të Vaut të Dejës, në mënyrë që të mbahen jashtë rrezikut digat dhe i tërë sistemi”, tha Berisha.
 
Niveli i ujit në liqenin e Fierzës po cek pikën kritike të lejuar. Në Vaun e Dejës që është pika fundore e kaskadës po shkarkohet përmes turbinave dhe portave mbi 2400 metër kubë  ujë në sekondë. Menaxhimi i kaskadës tashmë i ka kaluar Komitetit të Emergjencës, i cili paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet edhe më gjatë ditëve në vijim.

”Situata po i tejkalon mundësitë e administrimit të saj dhe po ju bëjmë më dije se situata mund të vijë duke u përkeqësuar”, tha zëvendësministri i Energjitikës, Sokol Dervishaj.

Edhe këtë radhë ashtu si në fillim të vitit, autoritetet thonë se shkaku i rëndimit të situatës janë prurjet sipas tyre rekord.

”Prej 12 ditësh prurjet vazhdojnë të jenë 1200-1300 metër kub në sekondë dhe rritja ka arritur në 9 metër. Të gjithë agregatët kanë vijuar punën dhe prodhimi i energjisë ka qenë në maksimum”, thotë drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo.

Dy vitet e fundit, përmbytjet në zonën e Nënshkodrës si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet kanë qenë me intensitet të lartë, të pashënuar ndonjëherë më parë në 20 vitet e fundit.  

Top Channel