Përmbytjet, Bello: Keqmenaxhim i kaskadës

01/12/2010 19:50

Ish-zëvendësministri i Energjitikës, Pajtim Bello thotë se përmbytjet e shpeshta në zonën e Nënshkodrës janë pasojë e menaxhimit të papërgjegjshëm të kaskadës.

Sipas tij, pas përmbytjes së parë qeveria duhet të kishte analizuar shkaqet dhe të urdhëronte studime të reja për pritat, pasi terreni i zonës ka ndryshuar.

“Papërgjegjshmëria shkon edhe më tej. Jo vetëm që s’janë bërë studime, por edhe investimet minimale, ato që janë bërë tradiconalisht vit për vit, nuk kanë përfunduar. Si mund të shkohet në dimër pa këto punime minimale”, deklaron Bello.

Bello thotë se kaskada nuk po menaxhohet nga specialistët, por nga politika. “Me këtë problem nuk u morën specialistët e fushës, të përcaktonin ata se cfarë ka ndodhur. Por e përcaktoi politika. Dhe pastaj na del kryetarja e Kuvendit dhe thotë se një metër kub borë ka tre metër kub ujë. Është skandal. Kjo ështe fyerje për shqiptarët dhe përdhosje për shkencën”, thekson Bello.

Ish-numri dy i Energjitikës në kohën e qeverisë socialiste thotë se argumenti i qeverisë se përmbytjet janë shkak i natyrës ka rënë përfundimisht.

“Qeveria nuk duhet të ushtronte presion duke thënë se kemi të bëjmë me reshjet 1 herë në 100 vjet. Kjo mund të thuhet për herën e parë, por jo më pas. Ujërat janë pasuri në të gjithë botën dhe ne nuk mund t’i keqmenaxhojmë”, shprehet ai.

Inxhinierët që kanë projektuar kaskadën e Drinit thonë se ajo është ndërtuar me nivelin më të lartë të sigurisë në Europë, i tillë që lejonte përmbytje vetëm një herë në 50 vjet.

Por vetëm këtë vit zona e Nënshkodrës është përmbytur 5 herë, gjithmonë me justifikimin e prurjeve të jashtëzakonshme.

Top Channel