Zgjedhjet vendore rikonfigurojnë Kuvendin

30/11/2010 08:55

Zgjedhjet e ardhshme lokale të 8 majit, përveç Tiranës duket se do të fitojnë edhe një element tjetër specifik.

Kontrolli prej opozitës i qyteteve më të mëdha të vendit po kërkon vendime të rëndësishme që priren të ndryshojnë situatën aktuale në ato zona që njihen si bastione, apo që përcaktojnë shumëçka në planin ekonomik.

Bashkitë kryesore si Tirana, Durrësi, Vlora, Korça dhe Elbasani, aktualisht nën kontrollin e Partisë Socialiste përfaqësojnë një sfidë shumë të vështirë për të djathtën, e cila të paktën si disa raste, po vë në lëvizje burimet e veta politike kryesore për të përmbysur situatën.

Gjithnjë sipas informacioneve jo të konfirmuara, por as të mohuara, janë të paktën dy qytete kryesore, Tirana dhe Vlora, ato të cilat po diktojnë përdorimin e kapaciteteve politike si kandidatura rivale ndaj kryebashkiakëve socialistë të konsoliduar mirë në pozicionet e tyre prej disa mandatesh.

Ministri i Brendshëm, deputeti Lulzim Basha, prej kohësh përflitet si emër për të garuar për Bashkinë e Tiranës përballë Edi Ramës, sikurse edhe deputeti i Vlorës, njëkohësisht kryetar i degës së Partisë Demokratike, Ardian Kollozi.

Një hamendësim i bërë shpesh lidhet edhe me emrin e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, i cili erdhi në pozicionin e deputetit pas një karriere të suksesshme si kryetar i Bashkisë së Durrësit.

Si dukuri, 8 maji 2011 me sa duket shihet si një investim kapital nga të dyja forcat politike, dëshmi e një lloj decentralizimi të politikës dhe që si e tillë ndërton perspektivën jo vetëm për zgjedhjet e 2013-s, por edhe për mbajtjen e pushtetit të ndarë mes dy forcave kryesore politike.

Top Channel