Wikileaks, misteri i Zharrës

30/11/2010 20:10

Misteri i së vërtetës për të cilën pretendon edhe Wikileaks se ka dyshime për një konflikt mes dy kompanive të naftës në Shqipëri fshihet tek një pus në komunën e Zharrës në Fier që banorët dhe naftëtarët e njohin si pusi me numrin 646.

Sot ky pus është mbyllur, por deri nga mesi i vitit 2009 nga ky pus për të nxjerrë naftë, kompania “Bankers” përdorte teknologjinë e injektimtit të ujit me presion.

Banorët thonë se pikërisht për shkak të kësaj teknologjie në shtëpitë e tyre kishin filluar të ndiheshin lëkundje të tokës, deri sa në korrik të vitit 2009, lëkundjet ishin aq të mëdha sa dhjetra shtëpi të komunës Zharrë dhe ato në afërsi të bashkisë Patos, sipas grupeve të pushtetit lokal që evidentuan pasojat, u dëmtuan mbi 60 shtëpi dhe shumë prejt tyre u bënë gati të pabanueshme.

“Kanë plasur muret nga lëkundjet që ishin vertikale dhe jo horizontale”, deklaron një prej banorëve të zonës.

Ditën e lëkundjes së madhe banorët të irrituar detyruan dhunshëm kompaninë “Bankers” të ndërpriste punën në puse. Kronikat e kësaj periudhe tregojnë për një konflik mjaft të ashpër.

Por misteri i ngjarjes në pusin 646 fillon këtu. Nëse do të vërtetohej që dëmi ishte shkaktuar nga punimet në pus kompania duhet të paguante për dëmshpërblimin. Por deri tani asnjë kompensim nuk është dhënë. Qeveria gjykoi se nuk ishte shpërthim nga pusi, por koncidencë e një termeti.

“Nga ana e komunës është insistuar që kjo çështje të zbardhet. Kemi marrë të gjitha hapat ligjore, kemi thirrur ekspertët dhe nga ata kemi marrë përgjigje, por jo gjithmonë këto përgjigje kanë kënaqur banorët”, është shprehur kryetari i komunës Zharrë, Taulant Gremi.

“Jo nuk bën vaki të ketë qenë tërmet pasi lëkundjet ishin nga lartë poshtë”, thekson një prej banorëve.

Ende asnjë verdikt nuk ka dhënë as kryetari i bashkisë së Patosit, i cili ka dyshime që përkojnë me atë të banorëve.

“E kemi kërkuar nga kompania dhe që nga ajo periudhë dhe deri në ditët e sotme zona nuk ka më probleme. Por nuk mund të marrësh iniciativa ligjore nëse s’ka një analizë të detajuar shkencore që të gjej një lidhje mes lëkundjeve dhe veprimtarisë së kompanisë”, deklaroi kreu i bashkisë, Bardhi Meli.

Ishte tërmet apo shpërthim teknologjik nga një shfrytëzim i pusit 646. Ky vazhdon të jetë ende misteri. Ish kryetari i agjencisë kombëtare të burimeve natyrore në një intervistë të dhënë në Top Channel në verën e këtij viti, por të pa transmetuar premtoi një zbardhje të ngjarjes. Ai pranon se teknologjia e përdorur në pus është injektimi me ujë, por nuk dinte të thoshte se është përdorur me korrektësi kjo teknikë e cila sipas banorëve solli dhe lëkundjet e tokës që i shkatërruan atyre shtëpitë.

“Ministri ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune me ekspertë dhe do të shkojmë deri në kallëzim penal nëse verifikohet ndonjë shkelje”, theksoi Taulant Musabelliu, ish kryetar i AKBN-së.

Çfarëdo dosje të nxjerrë Wikileaks ajo çka ndodhi në pusin e Zharrës mbetet vetëm brenda qeverisë, pasi kaluan kohë dhe asnjë isntitucion shtetor apo agjenci e specializuar shqiptare nuk kanë bërë një hetim të plotë, por përkundrazi sikundër pretendohet në dosjet e Wikileaks, përgjigjet janë munduar të shmangen. Viktimat e vërteta të kësaj historie mbeten banorët që ende sot jetojnë në shtëpi gjysmë të rrënuara.

Top Channel