Wikileaks, Francezët: Shqipëria e mori lehtë NATO-n

30/11/2010 12:25

Dokumenti i parë ku përmendet Shqipëria, shkarazi, nuk është një telegram i ambasadës amerikane në Tiranë, por një telegram i ambasadës amerikane në Paris.

Dokumenti referon takimin e zëvendës asistentit për cështjet e sigurisë kombëtare të zv-Presidentit Dick Cheney me këshilltarët për cështjet strategjike të presidentit Sarkozy dhe ministrit të jashtëm Kouchner. Takimi është zhvilluar më 16 janar 2008, pra rreth tre muaj përpara se Shqipëria të merrte ftesën zyrtare për anëtarësim në NATO nga samiti i Bukureshtit.

Biseda është përqëndruar në disa tema, ku sigurisht NATO dhe riintegrimi i Francës në komandën ushtarake të Aleancës, kanë zënë një vend kyc. Duke diskutuar për zgjerimin e Aleancës, në telegram citohet shprehimisht njëri prej këshilltarëve francezë.

“Errera tha se Franca është e qetë me secilin prej 3 kandidatëve të Kartës Adriatik 3. Vecanërisht Franca nuk ka asnjë problem me anëtarësimin e Kroacisë. Megjithatë, Errera pohoi se Shqipëria duket se po e merr për të mirëqenë pranimin dhe lipset që të bëjë më shumë përpjekje për të fshirë cështjet e korrupsionit. Sa i takon Maqedonisë, Errera tha se qeveria e Maqedonisë nënvlerëson seriozitetin e cështjes së emrit për Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim. Franca nuk do të bëjë presion mbi Greqinë për këtë cështje. Ndër të tjera, nëse Athina do të lëshojë pe në cështjen e emrit, qeveria greke mund të bjerë, cka mund të sjellë një qeveri të re, që mund të jetë përgjegjëse dhe mesa duket armiqësore ndaj ratifikimit të procesit të zgjerimit”, thuhet në telegram.

Nga një fjali e tillë, a mund të dilet në konkluzionin se anëtarësimi në NATO iu dhurua Shqipërisë? Kjo mbase është e tepruar. Por, fjalia na jep një ide se në c’masë cështjet e korrupsionit të brendshëm në Shqipëri, mund të shndërrohen në cështje të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke penguar nëse nuk zgjidhen, proceset integruese të Shqipërisë, kësaj here në Bashkimin Europian.

Top Channel