Mocioni anti-Topalli, në seancën e fundit

30/11/2010 08:15

Dy ditë përpara Krishtlindjeve, politika do t’i mbyllë punimet e Parlamentit, me mocionin me debat kundër Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

Burime pranë Kuvendit bëjnë me dije se data e mocionit është përcaktuar 23 dhjetori. Kjo është data e fundit e punimeve të Kuvendit për vitin 2010.

Burime konfidenciale nga Parlamenti bëjnë me dije se Kryetarja e Kuvendit do të vendosë vetë datën e mocionit, në rast se dy negociatorët e emëruar në Konferencën e Kryetarëve, që u zhvillua të premten e kaluar nuk do të bien dakord për datën.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi që mocioni me debat të bëhet më 16 dhjetor, në seancën e parafundit, ndërsa kreu i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi këmbënguli në idenë që mocioni me debat të zhvillohet më datë 23 dhjetor.

Deri dje në mbrëmje, dy negociatorët as janë takuar dhe as kanë komunikuar me njeri-tjetrin për të vendosur një datë konkrete, por burime të sigurta nga Kuvendi bëjnë me dije për “Shqip” se seanca e fundit e Kuvendit do të ketë shoë parlamentar në përplasjen e opozitës me Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.

Mazhoranca nuk do ta tolerojë këtë herë opozitën, ndërsa opozita pritet të bjerë dakord me kërkesën që mocioni të zhvillohet ditën e fundit të Kuvendit.

Selia rozë konfirmon se “mazhoranca mesa duket nuk do të tërhiqet nga ideja për të shtyrë sa më shumë të jetë e mundur mocionin”.

Top Channel