BB: Shqiptarët, arsimi i dobët

30/11/2010 15:00

Banka Botërore paralajmëron se cilësia e dobët e arsimit po kërcënon rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Në një raport të fundit, të posacëm për vendin tonë, Banka vëren se Shqipëria ka një hendek të madh të punonjësve të arsimuar, krahasuar jo vetëm me vendet e zhvilluara, por edhe ato të rajonit.  Aktualisht Shqipëria ka numrin më të ulët të popullsisë që ka kryer studimet e mesme dhe ato të larta vetëm 48.7 për qind, nga 62 për qind që është mestarja e Ballkanit.

Në fund të vitit 2009, mbi 51 për qind e firmave të mëdha në Shqipëri, vecanërisht eksportuesit kanë raportuar mungesën e njohurive tek punonjësit si pengesën më të madhe të tyre. Banka vëren se kjo situatë është kritike pasi këto janë firmat, të cilat janë burimi potencial i rritjes ekonomike në të ardhmen.

Por edhe me këto dizavantazhe të theksuara në kualifikimin e forcës puntore Shqipëria, jo vetëm që nuk po investon më shumë se vendet e tjera, por përkundrazi shpenzon për arsimin dukshëm më pak se rajoni. Qeveria shqiptare dha në vitin 2009 për arsimin 3.5 për qind të Produktit Kombëtar për Arsimin, nga 4.6 që është mesatarja e Ballkanit. Shpenzimet për kërkimet shkencore, janë në nivele të papërfillshme vetëm 0.2 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, ose minimalisht 10 herë më pak se sa mesatarja e BE-së.

Banka thotë se qeveria ka ndërmarrë disa reforma, të cilat kanë konsistuar kryesisht në hapjen e universiteve, c’ka ka bërë që numri i studentëve të rritet me gati 2.3 herë krahasuar me vitin 2003. Por ekspertët e saj thonë se përfitimet e kësaj rritje rrezikohen nga ulja e mëtejshme e cilësisë në mësimdhënie.

Kjo është hera e parë kur një raport i detajuar për ekonominë po nxjerr arsimin, si një kërcënim për rritjen ekonomike, dhe ekspertët e Bankës thonë e shpjegojnë këtë me faktin se tashmë që Shqipëria i ka ezauruar burimet e lehta të rritjes, arsimi do të jetë kritik.  

Top Channel