Opozita fillon protestat

27/11/2010 00:30

Kryetari Partisë Socialiste Edi Rama, duke folur para mbështetësve të opozitës në qytetin e Elbasanit, akuzoi qeverinë se po mban të mbyllur në kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit të ardhmen e shqiptarëve. Rama tha se kjo qeveri po udhëheq pa pasur pëlqimin e popullit për të qeverisur. (UPDATE)

“Jemi së bashku për të gjitha ato liri dhe të drejta që janë marrë peng dhe që qendrojnë të mbyllura në kutitë e zgjedhjeve të vjedhura, që qendrojnë të mbyllura në ato kuti të cilat Saliu i ka marrë peng”, deklaroi Rama.
 
Rama ka shtuar se kjo qeveri ka zhytur vendin në një krizë të thellë ekonomike, dhe se po bën jetesën e shqiptarëve çdo ditë e më të shtrenjtë.

“Vetëm një vit më parë energjia ishte më e lirë, çmimet e ushqimeve më të lira, çmimi i jetesës së përditëshme ishte më i ulët se sot. Është bërë shërbimi shëndetësor 5 herë më i shtrenjtë, ndersa Berisha mburret se ka rritur pagat dhe pensionet, këto paga dhe pensione janë çdo ditë më të pamjaftueshme”, tha më tej Rama.

Rama tha se opozita nuk do të lejojë më vjedhjen e votave të shqiptarëve dhe se  protestat do të vazhdojnë derisa të bëhet transparenca e plotë për zgjedhjet e 28 qershorit.

Top Channel