Edhe dollari forcohet ndaj lekut

26/11/2010 08:45

Pas monedhës euro, tashmë i takon dollarit amerikan të fitojë terren ndaj lekut.

Në dy javët e fundit shikohet një tendencë shqetësuese e rritjes së çmimit të dollarit në raport me lekun, me të paktën 6.5 për qind, ose rreth 7 pikë më shumë.

Referuar kursit zyrtar të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, ditën e djeshme, dollari u këmbye me mbi 104 lekë, nga 97 lekë që ishte rreth dy javë më parë.

Kurse euro ka pësuar një ulje të butë, duke u kuotuar me 138.61 lekë, nga 139.41 lekë që ishte në fillim të javës së kaluar.

Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e kursit të këmbimit parashikohet të jetë më e qëndrueshme, e mbështetur nga raporte më të balancuara të kërkesës e të ofertës për valutë.

Sipas saj, qëndrueshmëria në rritje e kursit të këmbimit ka ndikuar në ngadalësimin e inflacionit të importuar.

“Reduktimi i normës totale të inflacionit në këtë muaj i dedikohet në një masë të madhe shuarjes së efekteve të rritjes së disa prej çmimeve të administruara një vit më parë”, tha dy ditë më parë guvernatori Ardian Fullani, duke shtuar se nuk ka asnjë spekulim ndaj tregut të valutave.

Top Channel