Brace: Berisha po grabit vendin

26/11/2010 15:00

Kur kishte kaluar ora 4:00 e mëngjesit, parlamenti kaloi në pikën e fundit të rendit të ditës, interpelancën e kërkuar nga deputeti Erjon Brace me kryeministrin Berisha për monopolet. (UPDATE)

Deputeti Brace argumentoi sipas tij se qeveria ka lejuar monopole të klientëve pranë pushtetit në prodhimin e naftës, në prodhimin, transmetimin dhe shitjen e energjisë elektrike, në telefoninë fikse, në fluturimet ajrore ‘low cost’, pra me cmim të ulët, ndërkohë që punët publike u jepen një grushti kompanish.

“Transporti ajror dominohet nga një kompani që qeveria e futi me dhune ne kete treg. Për miellin për bukë, monopoli ndahet mes qeverise dhe dy kompanive. Punimet publike, veprat e medha ndahen mes qeverise dhe nje grushti kompanish prane qeverise”, tha Brace.

Po ashtu, deputeti Brace akuzoi qeverinë se njerëz të afërt të saj kanë kapur edhe dy bizneset e fundit që mbeteshin, atë të reklamës qeveritare dhe të rickimit të mbetjeve

“Njeri prej bizneseve u kap të enjten dhe është biznesi i reklamës, i ndërtuar me paratë e shqiptarëve. Dy herë ka ndryshuar vendimin qeveria, thjesht për t’i cuar paratë grupit të tij. Biznesi i dytë i riciklimit të mbetjeve janë dy vendeve që ka marrë kryeministri. Kam kërkuar që të bëhet transparente e gjithë industria dhe shqiptarët të kuptojnë se koshi i kujt po bëhen”, tha Brace.

Në vijim, nëpërmjet shifrave të ndryshme, Kryeministri argumentoi sipas tij se qeveria i ka luftuar monopolet.

“Në vitin 2005 kishte 5 kompani ajrore, 115 avionë, 575 mijë udhëtarë, ndërsa në sot ka 9 kompani, 156 avionë dhe 1 milionë e 311 udhëtarë. Për grurin dhe miellin në vitin 2004 keni patur 33 kompani, ndërsa sot janë 96 kompani”, tha Berisha.

Duke vlerësuar se nuk po merrnin përgjigje, deputetët socialistë lanë sallën, mes replikave të kryeministrit, i cili tha se socialistët kishin frikë nga e vërteta.

Top Channel