Superdeputetja, katër policë të pezulluar

25/11/2010 20:15

Edhe pse një gjykatë kosovare e ka dënuar me gjobë deputeten e Kuvendit të Shqipërisë Albana Vokshi, Policia e Kosovës pezulloi disa policë që po hetohen në lidhje me incidentin në pikën kufitare të Vermicës.

Azem Mala komandant rajonal, Qamil Krasniqi komandant stacioni, Sylejman Hoxha shef i turnit dhe polici kufitar Bujar Shala janë pezulluar për një afat të pacaktuar me arsyetimin e zhvillimit të hetimeve nga inspektorati i policisë së Kosovës.

“Me rekomandim të inspektoriatit policor janë suspenduar 4 zyrtarë. Ata janë suspenduar me pagesë për shkak se janë ende nën hetim policor”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Zonja Vokshi u dënua me 250 euro gjobë nga gjykata për kundravajtje në Prizren, për veprën penale të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe për fyerje të personit zyrtar, pra pikërisht ndaj njërit prej policëve të pezulluar, Bujar Shalës.

Menjëherë pas reagimit të kryeministrit shqiptar Sali Berisha, kur ai kërkoi shpjegim dhe hetim të cështjes nga homologu kosovar Hashim Thaci, ngjarjet që pasuan ishin fillimi i hetimeve dhe pezullimi i policëve.

Por zëdhënësi i policisë, e cila ditën e incidentit nuk e bëri publike ngjarje në kufi, përjashton tani cdo ndikim të politikës.

“Kemi vepruar konform rekomandimeve të inspektoriatit policor dhe rekomandime që janë bazuar tek ligjet. Vendimi është marrë në bazë të ligjeve dhe parimeve të PK”, ka saktësuar Kelani.

Në aktvendimin e gjykatës për kundërvajtje thuhej se, deputetja i kishte ofenduar policët me fjalët:

“Ju jeni kafshë dhe silleni si kafshë. Kafshë je ti dhe do shihemi, se ti kujton se mund t’ia kalosh lehtë me mua, unë jam deputete. Jeni mësuar ju me serbët, prandaj silleni në këtë mënyrë”.

Këto fjalë hidhen poshtë nga pala mbrojtëse e deputetes, e cila me anë të avokatit Rexhep Hasani ka paraqitur një ankesë në Gjykatën e Lartë për kundravajtje në Prishtinë.

Top Channel