Incidenti me Albana Vokshin, shtohet presioni

25/11/2010 15:25

Incidenti i 14 nëntorit në kufirin Shqipëri-Kosovë ku u përfshi deputetja e kuvendit të Shqipërisë Albana Vokshi ka marrë të tjera përmasa.

Të afërm të deputetes konfirmojnë për Top Channel se polici Bujar Shala është pezulluar me afat të pacaktuar deri në përfundimin e hetimeve të Inspektoriatit Policor lidhur me këtë ngjarje.  

Duke dashur të ruajë anonimitetin për shkak të ndjeshmërisë së ngjarjes, i afërmi i zotit Shala na konfirmon përmes telefonit se vetë policit, hetimi dhe detyra i ndalojnë të prononcohet për mediat në lidhje me ngjarjen. Pak ditë më parë edhe vetë ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi deklaroi për Top Channel se pjesëtarët e policisë kufitare të Kosovës kanë dështuar në menaxhimin e situatës së krijuar me deputeten më datë 14 nëntor.

Ministri madje tha se ai e kishte kërkuar hetimin e detajuar nga Inspektorati ne lidhje me sjelljen e policëve. Ministri Rexhepi duke mos dashur të paragjykojë rezultatin e hetimeve tha se mjafton fakti se deputetja Vokshi ka patur pasaportë diplomatike për të kaluar me procedurë të përshpejtuar.
Avokati i zonjës Vokshi ka depozituar një ankesë në Gjykatën e Lartë për kundërvajtje në Prishtinë.
 

Top Channel