Rama: Qeveria, manipulim barbar trafikut

22/11/2010 18:40

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka hedhur akuza të ashpra ndaj qeverisë për bllokimin, sipas tij të qëllimshëm, të trafikut rrugor në kryeqytet.

Në një prononcim për mediat, pas një takimi për cështjet ekonomike ku mbërriti me vonesë, Rama i ka cilësuar si “barbare” veprimet e qeverisë, që sipas tij kanë si qëllim dëmtimin e imazhit të bashkisë.

“Është e pashembullt që Policia e Shtetit të abuzojë në këtë mënyrë për një qëllim makabër, duke tensionuar qytetarët, për të krijuar një peshë faji mbi bashkinë. Kjo është një metodë e vjetër, por është nga format më të përcmuara. Është barbare, primitive, vullgare dhe kriminale që në një qytet evropian të ndodhë dicka e tillë në mënyrë të qëllimshme”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, situata në rrugët e kryeqytetit pas shiut të dendur ishte normalizuar, por me urdhër të kryeministrit trafiku është rënduar tejmase.

“Policia e Shtetit është një trupë e specializuar, në gjëndje të përballojë detyrat e saj dhe kurrë nuk ka ndodhur një trafik i tillë. Shiu ka pushuar, rrugët janë normalizuar dhe trafiku vazhdon”, ka pohuar Rama, i cili ka vijuar me akuzat ndaj kreut të qeverisë.

“Është Berisha që ka refuzuar cdo bashkëpunim për ta marrë bashkinë e Tiranës në funksion të punës së bërë me BERZH dhe ja ku u bindëm sot në një moment, që ndodhemi në një situatë që u tregon qytetarëve fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, në përmasën e tij më të ulët morale”, është shprehur Rama.

Kryetari i opozitës ka akuzuar më tej se drejtuesit e qeverisë po e përdorin Policinë e Shtetit me qëllim që të mbajnë pushtetin e tyre, të cilit sipas tij s’po i mbajnë më gjunjët.

“Situata mban vulën e ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit, që përdorin policinë për interesat e një pushteti që nuk i mbajnë më gjunjët”, ka shtuar Rama.

Top Channel