NATO, Berisha në Portugali

19/11/2010 08:30

Për herë të parë pas më shumë se një viti e gjysmë anëtarësimi në NATO, drejtuesit e lartë të vendit tonë do të marrin pjesë në një samit që Aleanca organizon.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga një delegacion i gjerë, ku përfshihen ministra dhe ambasadorë, u nis mesditën e djeshme për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, i cili do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Në këtë samit marrin pjesë kryetarë shtetesh dhe qeverish të 28 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe të institucioneve ndërkombëtare.

Në këtë takim të nivelit të lartë pritet edhe pjesëmarrja e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.

Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrit Berisha, sot do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut, në nivelin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive.

Ndërsa nesër kreu i qeverisë do të marrë pjesë në seancën e diskutimeve mbi Afganistanin dhe në mesditë në seancën kushtuar marrëdhënieve të NATO-s me Rusinë, që zhvillohen në nivelin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive.

Në këtë vizitë treditore, Berisha po shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ambasadori shqiptar në NATO, Artur Kuko, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit në NATO në prill të vitit 2008, së bashku me Kroacinë dhe vetëm një vit më vonë këto vende u anëtarësuan me të drejta të plota në Aleancë.

Në ceremoninë e anëtarësimit të këtyre vendeve mori pjesë edhe presidenti amerikan Obama.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u quajt një ngjarje e jashtëzakonshme për sa i përket renditjes së vendit tonë përkrah vendeve më të lira dhe të rëndësishme të botës.

Top Channel