Ushqime të skaduara edhe në supermarketet e mëdha

18/11/2010 08:35

Mungesa e higjienës, produkte ushqimore të paetiketuara në gjuhën shqipe apo të skaduara janë problemet më shqetësuese që ka konstatuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në disa supermarkete të Shqipërisë.

Ky institucion ka organizuar inspektime në operatorët e biznesit të fushës së tregtimit të produkteve ushqimore në magazinat me shumicë e pakicë.

Në këtë kuadër, Drejtoria e Përgjithshme e AKU, ka referuar dje zyrtarisht se gjatë këtij inspektimi ka sekuestruar dhe asgjësuar rreth 3 mijë litra lëngje jo të sigurta, të cilat konsistojnë në pije freskuese, lëngje limoni e vaj ulliri.

Sipas përfaqësuesve të kësaj drejtorie, shkak për “bllokimin” e tyre ka qenë afati i skadencës, i cili kishte kohë që kishte kaluar, por kishte edhe nga ato raste që pasi u ishin nënshtruar analizave laboratorike, kishin rezultuar të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Ndërkohë, specialistët e ushqimit bëjnë të ditur se e njëjta procedurë, pra ajo e sekuestrimit dhe asgjësimit është ndjekur edhe me produktet ushqimore të skaduara, si pasojë e ruajtjes dhe tregtimit të tyre në kushte të papërshtatshme fizike. Specialistët sqarojnë se ky  fakt është tepër shqetësues, pasi mund të bëhet shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme në radhët e konsumatorëve që hera-herës tregohen të pakujdesshëm në përzgjedhjen e produkteve të ndryshme ushqimore, që shiten nga persona të pandërgjegjshëm.

Më konkretisht, disa nga produktet ku u evidentuan probleme të tilla ishin koka qengji, qofte të paketuara, sallam, biskota, makarona dhe çokollata.

Penalizimet

Burime nga ky institucion pohojnë se krahas sekuestrimit të produkteve ku janë konstatuar probleme të tilla, janë marrë edhe masa përkatëse për “dënimin” e subjekteve që tregtonin këto ushqime gjatë muajve të fundit në disa prej qyteteve kryesore të Republikës së Shqipërisë.

Kjo drejtori, ka marrë masën e gjobës apo edhe të pezullimit të licencës për disa subjekte tregtuese apo prodhuese të produkteve ushqimore, ku janë evidentuar raste të mospajisjes me etiketë në gjuhën shqipe apo në rastet flagrante të produkteve ushqimore me afat skadence të kaluar.  

“Nga inspektimet e kryera deri tani rezultojnë pothuajse të njëjtat probleme kudo. Kjo na bën të mundur të fokusohemi në këto problematika me qëllim përmirësimin e tyre.

Duam të theksojmë edhe njëherë se mbrojtja e konsumatorit është objektivi primar i AKU-së. Për këtë arsye, institucioni ynë është duke huazuar politikat dhe mekanizmat më të mirë europianë”, sqarohet në deklaratën zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Përfaqësuesit e këtij institucioni, tregojnë se duhet pasur parasysh që ky është një proces, i cili në BE ka zgjatur me vite e po vazhdon të zhvillohet më tej, që nga krijimi i Autoritetit Europian të Sigurisë Ushqimore, prandaj edhe në Shqipëri hartimi i këtyre politikave nuk mund të bëhet në mënyrë të menjëhershme.

“Për këtë ne kërkojmë kryesisht ndërgjegjësimin e vetë konsumatorit, i cili duhet të zgjedhë në mënyrë të kujdesshme produktet që ai blen dhe njëkohësisht edhe të operatorit të biznesit ushqimor për një Shqipëri më të shëndetshme”, shtohet në deklaratë.     

Monitorimi

Këto konstatime kanë ardhur si pasojë e monitorimeve të vazhdueshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit gjatë muajve të fundit. Ky institucion ka qenë i pranishëm në tregun ushqimor për të monitoruar e inspektuar këtë sektor të rëndësishëm të shoqërisë.

Në bazë të planit të punës të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU, i cili është shtrirë në të gjitha qarqet e Shqipërisë ky institucion ka organizuar inspektime në operatorët e tregtimit të produkteve ushqimore, që ndodhen në Qarkun e Tiranës, Elbasanit, Lezhës, Fierit, Kukësit, Korçës, Gjirokastrës, Vlorës, Durrësit e Dibrës.

Top Channel