CEZ propozon shtrenjtimin e energjisë

18/11/2010 20:30

CEZ, kompania që ka monopolin e shitjes së energjisë me pakicë, ka bërë publike para Entit Rregullator të Energjisë arsyet se përse po kërkon rritjen e cmimit të energjisë me gati 11 për qind për vitin e ardhshëm.

“Dy arsyet kryesore janë inflacioni dhe kursi i këmbimit. Dy faktorë të zakonshëm që duhet të indeksohen. Ndërsa një tjetër argument ka të bëjë me planin e investimeve. Rrjeti nuk është në gjendje të mirë dhe ka nevojë për shumë investime”, ka deklaruar Martin Nemecek, përfaqësues i CEZ.

Por përfaqësuesit e biznesit e kanë kundërshtuar rritjen e cmimit. “Në rajon cmimet e energjisë variojnë rreth 50 euro për mega. Sot cmimi mesatar që po paguajnë konsumatorët është 8-9 lekë për kilovat, edhe më shumë. Ku është efekti i prodhimit vendas me kosto të ulët? Vjet futët tarifat “pik”. Në vendet ku zbatohen këto tarifa “pik” ka dhe tarifa “antipik”. Pra, cmime më të ulëta për orët që kanë konsum të vogël. Pse nuk zbatohen këtu?”, ka deklaruar Zeki Kaya, përfaqësues i kompanisë “Kurum”.

Edhe Autoriteti i Konkurrencës është shprehur kundër rritjes së cmimit, duke kërkuar liberalzim të tregut.

“Me të treja kompanitë ka një pozitë anti-monopol, që në treg janë pika kyce për forcimin e konkurrencës”, ka deklaruar Lindita Lati.

Vec rritjes së cmimit, CEZ po kërkon edhe heqjen e fashave mbrojtëse për konsum deri në 300 kilovatorë.

“Sa për konsumin, kufirin 300 kilovat nuk e kaloj as unë. Kështu, nga pikëpamja personale unë jam i kënaqur se edhe unë po përfitoj nga mbrojtja sociale”, ka deklaruar Jozef Hejsek, përfaqësues i CEZ.

Por zyra e Avokatit të Popullit tha se kjo do të dëmtonte familjet në nevojë. “Jemi kategorikisht kundër heqjes së faturimit me dy blloqe pasi do të kishte një impakt negativ ndaj shtresave në nevojë”, ka deklaruar përfaqësuesja e AP.

Vec CEZ, rritje cmimesh, madje edhe më të fortë, ka kërkuar edhe OST dhe KESH. Aktualisht cmimi i energjisë është 9.5 lekë për kilovat/orë.

Top Channel