Rama: Pa hetim s’ka zgjedhje

17/11/2010 19:40

Selia roze ka artikuluar sërish kërkesën në drejtim të kryeministrit Berisha për ofertën më të fundit përsa i përket hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Kreu i opozitës Edi Rama theksoi se zoti Berisha nuk ka dhënë ende një përgjigje ndaj propozimeve të reja të socialistëve, të cilat sipas tij do t’i jepnin fund krizës politike në vend.

“Ai duhet të mos e pengojë më tutje transparencën. Të pranojë ngritjen e komisionit hetimor. T’i hapë rrugë hetimit të kutive të materialeve zgjedhore, për t’i hapur rrugë edhe reformës zgjedhore. Pa hetuar kutitë e materialeve zgjedhore dhe duke përjashtuar tanimë fletët e votimit, s’ka reformë zgjedhore dhe s’ka as zgjedhje të mundshme në Shqipëri”, ka deklaruar Rama.

Rama kërkoi nga kreu i mazhorancës që të mos sulmojë Komisionin Europian, sic bëri të martën në Bruksel, por t’i japë fund ngërcit.

Pavarësisht ofertës së re, kryetari i Partisë Socialiste në fakt sheh si zgjidhje përfundimtare të krizës largimin e qeverisë aktuale.

“Sali Berisha ka dështuar sepse mes standardeve evropiane dhe klanit të tij të korruptuar në pushtet, ka zgjedhur të përfaqësojë këtë klan duke keqqeverisur me votat e vjedhura që mban peng në kutitë e mbyllura dhe duke shpallur opozitën armike të vendit e të integrimit. Sali Berisha duhet të largohet. E vetmja shpresë është Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar për një qeverisje transparente dhe një model të ri zhvillimi”, ka theksuar Rama.

Por pavarësisht toneve të ashpra të kreut të Partisë Socialiste, kryeministri Berisha ka theksuar se oferta e re duhet të ndjekë procedurat ligjore, ndërkohë që përsa i përket propozimit që ndodhet mbi tryezën e tij, ai tha se aty përfshihet ende hetimi i pakushtëzuar, një pikë kjo që për shefin e qeverisë nuk mund të realizohet për sa kohë është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Që nga kohërat më të hershme është thënë nga latinët: “fjala fluturon, shkrimi mbetet”. Le ta sjellë ofertën në Parlament dhe unë e garantoj se do ta trajtoj me seriozitetin më të madh. Hetim të pakufizuar shkëlqesia e tij, kryetari i PS, të harrojë se mund ta pranoj”, ka deklaruar Berisha.

Duke bërë përgjegjës kreun e opozitës për situatën aktuale politike, kryeministri paralajmëroi se pavarësisht pozicionimeve të socialistëve, ka ardhur momenti që “mafia e votave” të goditet ashtu sic u bë edhe në zgjedhjet e fundit.

Top Channel