Komiteti, Kuvendi: Rama u keqkuptua

17/11/2010 19:15

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu i është përgjigjur po me një letër, letrës që kryetari i PS Edi Rama i dërgoi kryetares Jozefina Topalli, ku i shprehte shqetësimin mbi cështjet e rendit të ditës në mbledhjen e Komitetit Shtetëror.

Në letrën e tij, Myftiu shprehet se kryetari i PS Edi Rama është keqkuptuar për këtë cështje, pasi rendi i ditës ishte përcaktuar mbledhjen e kaluar dhe ai vetë kishte rënë dakord.

“Zoti Rama është keqkuptuar në lidhje me mbledhjen e Komitetit Shtetëror. Rendi i ditës së mbledhjes së sotme ishte përcaktuar në mbledhjen e kaluar. Mbledhjen e kaluar u paraqit edhe lista e studiove arkitekturore dhe palët ranë dakord”, është shprehur Myftiu.

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit ka saktësuar se në garën për planin e parlamentit të ri do të marrin pjesë 25 studio dhe ka shtuar se 100-vjetori i pavarësisë do ta gjejë vendin me një parlament të ri.

Top Channel