Bëhet fjalë për një nga makinat e pakta të kohës së monizmit që i ka shpëtuar viteve të tranzicionit.

Në atë kohë ishte e rrallë sepse numëroheshin me gishtat e dorës makinat që lëviznin në bulevardet e Shqipërisë. Por sot është akoma më e rrallë në morinë e markave të reja që kanë pushtuar asfaltin.

Makina me të cilën po udhëtojmë është një Gaz, prodhim i vitit 1954 dhe ekziston sot vetëm falë Përparim Kolasit, një ish-ushtarak i apasionuar pas këtyre lloj makinash. 55-vjeçari ka punuar një jetë të tërë si shef teknike në ushtri dhe në momentin që doli në lirim, nuk mund t’i shihte të rrënoheshin makinat që dikur ishin krenaria e kombit.

Ai e filloi punen nga hiçi. Nga një skelet mbi të cilin ndërtoi me shumë mund bashkë me të birin, Besmirin, gjithë pjesët e tjera të makinës që zgjon kureshtjen e të gjithë atyre që kur shohin makina të tilla në qarkullim, kujtojnë një periudhë që sa vjen e bëhet më e largët.

“Nuk heq dorë nga profesioni dhe nga puna se më duket sikur çdo ditë e më tepër kjo më falë kënaqësi. Unë jam rritur me këto mjete dhe duke qenë se kam kaluar rininë, dua t’i shërbej mjetit tamam si doktori të sëmurit”, shprehet Përparimi.

I janë dashur vite, shumë punë dhe pasion, për t’i ngritur nga hiçi këto makina me një mungesë të theksuar kushtesh, qoftë dhe të një vendi ku t’i mbante. Çdo dado dhe çdo pjesë në trupin e makinave është vënë me dorë dhe këto makina në fakt janë dëshmi që me pasion mund të arrihet të zëvendësohet dhe puna e një fabrike të tërë. Vetëm se shpeshherë përmbushtja e këtij pasioni i ka kushtuar Përparimit dhe familjes së tij.

“Kam shpenzuar shumë djersë dhe shumë mund, por edhe ato pak të ardhura që i kam pasur harxhuar. Kam 30 vjet që punoj dhe ende nuk kam një shtëpi. Shpenzimet janë të konsiderueshme. Po të kisha të ardhura financiare do kisha bërë mrekullira”, thotë Përparimi.

Por Gazi është vetëm një nga makinat “dinosaur” që lëvizin në Tiranë në ditët e sotme. Përparimi ka punuar prej vitesh që të shpëtojë nga zhdukja dhe një BÇ prodhim i vitit 1968 apo një tricikël EM 72sh që sot duket fringo i ri dhe që të sjell në mendje filmat me gjermanë.

“U bën kaq vite që edhe vras edhe mendjen, por edhe duart për të arritur maksimalen e përshtatjes mes anës teknike dhe asaj estetike. Fillimisht i çmontoj, pastaj filloj punën me shasinë. Më pas fillon puna me montimin e pjesëve”, tregon Përparimi.

Pasioni i Përparimit është i lidhur fort me nostalgjinë. Ndërsa për të birin, Besmirin është një pasion që ka lindur që në fëmijëri. Ai ka punuar që pesë vjeç krahas të atit për të rindërtuar këto makina-gërmadhë, të cilat mbledhin admirues kudo që ekspozohen.

“Njerëzit kur më shohin çuditen sidomos moshatarët që nuk e njohin, kurse më të moshuarit interesohen për të”, shprehet Besmiri.

Ndërkohë në Drejtorinë e Përgjithshme të Transporteve, Kozeta Gina, drejtore e Drejtorisë së Informacionit, na thotë se mjete të tilla pothuaj nuk ekzistojnë më në dosjet e regjistrimit të automjeteve.

“Pas vitit 90 janë trashëguar rreth 5-6 mijë mjete të cilat zakonisht kanë qenë të tonazhit të rëndë, kamiona. Markat më të përhapura ishin Skania, IFA, Skoda, Saurela, Zisa, Gaz, Fiat dhe Benz. Këto mjete kanë rezistuar deri në fillim të viteve 2000”, thotë Kozeta.

Por për ish-ushtarakun, kjo iniciativë tashmë i ka kaluar kufijtë e sfidës dhe kënaqësisë personale dhe ka arritur pragun e realizimit të një ëndrre. Ai ka bërë një kërkesë që të sigurojë dhe makina të tjera germadhë nga institucionet shqiptare për të realizuar një muze me këto makina të vjetra.

“I kam bërë kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes për t’i blerë. Madje mund të marrë edhe kredi. Ato po shiten për hekurishte, ndërkohë që bashkë me djalin kam ëndërr të bëj një park muzeal dhe ai t’i shërbejë vendit tim”, shprehet Përparimi.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel