Rriten kreditë e këqija

16/11/2010 15:20

Bankat vazhdojnë të raportojnë për rritje të kredive të këqija, thuajse në të njëjtën masë me pikun e krizës.

Të dhënat më të fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë, tregojnë se në tremujorin e tretë kreditë e këqija arritën në 13.5 për qind e totalit ose rreth 620 milionë dollarë. Krahasuar me tremujorin e dytë, kreditë e këqija u rritën me 1.5 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, ato u rritën me 3.75 për qind.

Në dy vitet e fundit, kreditë e këqija janë rritur mbi tre herë dhe ky ritem nuk po bie as tani, pavarësisht se kriza e ka kaluar pikun. Banka e Shqipërisë thotë se sistemi bankar shqiptar nuk është i rrezikuar nga rritja e kredive të këqija, pasi ka kapital të mjaftueshëm për të përballuar rritjen e tyre edhe me 10 pikë përqindje të tjera. Por në vrojtimin e fundit mbi aktivitetin kreditues, ekspertët e bankës vërejnë se kreditë e këqija po shkaktojne gjithmonë e më shumë shtrëngimin e kredisë. Sipas vrojtimit, në tremujorin e tretë, ndikimi i kredive të këqija në vendimet e bankave për të shtrënguar kreditë arriti pikun.

Në shtator rritja e kredisë në terma vjetorë arriti pikun më të ulët, gati 7.7 për qind, një sinjal jo i mirë ky për ekonominë. Në fillim banka qëndrore kishte parashikuar se kredia do të rigjallërohej në gjysmën e dytë të vitit, por deri tani kjo jo vetëm që nuk po ndodh, por përkundrazi, rritja e kredisë po rezulton edhe më e vogël se san ë pikun e krizës, një sinjal ky që ekonomia po bën më pak investime.

Top Channel