Zgjidhen anëtarët e KLD-së

15/11/2010 22:30

Përkundër konferencave të mëparshme nga e cila dilnin për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë anëtarët e votuar nga trupa gjyqësore me përfaqësues dhe jo nga të gjithë gjyqtarët në mënyrë të drejtpërdrejtë, për 12 orë rresht të gjithë gjyqtarët kanë votuar pesë anëtarët më të rinj të KLD-së.(UPDATE)

Sipas formulës së përcaktuar u zgjodh një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Besnik Ymeraj i cili fitoi 170 vota përballë garuesit tjetër Aleksndër Muskaj që mori 134 .

Ndërkohë bindshëm fitoi nga shkallët e para të gjyqësorit , ish-kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, zoti Dritan Hallunaj cili mori 258 vota, duke u pasuar me fituesit, gjyqtari i çështjeve civile të Tiranes, Ilir Mustafaj 172 vota, Tritan Hamitaj 171 vota dhe Flamur Kapllani 132 vota.

Gara mes 24 kandidatëve ishte mjaft e fortë, duke sjellë në votimet e para balotazh, çka solli një votim të dytë brenda ditës.

Në fakt konferenca gjyqësore ishte planifikuar të niste në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne e ngarkuar me votime. Si fillim u hodh në votë kandidimi i gjashtë anëtarëve të Gjykatës së Apelit, i cili u refuzua nga gjyqtarët pasi apeli përfaqësohet në Këshillin e Lartë nga 3 gjyqtarë të kësaj trupe.

Ndërkohe kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj dha mesazhin e pavarësisë së gjyqësorit.

Mandatet e pesë fituesve të konferencës gjyqësore kombëtare do të verifikohen tashmë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Konferenca gjyqësore kishte 2 vjet që kishte dështuar të mblidhej çka solli edhe ngërç për plotësimin e vendeve vakant në KLD. Shkak ishte si fillim rrëzimi i ligjit të konferencës nga Gjykata Kushtetuese, ligj ky i cili sillte zgjedhjen e anëtarëve të KLD nga trupa gjyqësore jo drejtpërdrejt nga të gjithë gjyqtarët, por nga përfaqësuesit e atyre që ishin zgjedhur nëpër konferenca rajonale.

Top Channel