Mazhoranca shton dy deputetë në Komisionin e Sigurisë

15/11/2010 08:00

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli “sistemon” rrjedhjen e votave të mazhorancës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare pas largimit të deputetit Paulin Sterkaj nga Partia Demokratike.

Dyshja Topalli-Patozi i kanë rikthyer të djathtës shumicën në një prej komisioneve më të rëndësishme parlamentare, siç është ai i Sigurisë Kombëtare. Ndue Paluca dhe Ilir Bano janë dy anëtarët e rinj të Komisionit të Sigurisë. Ky ndryshim e çon numrin e anëtarëve nga 19 në 21, ndërsa mazhorancës i jep 11 vota, ndërsa opozitës vetëm 10, duke i bashkuar edhe votën e Paulin Sterkajt.
 
Sipas vendimit, i cili mban numrin 64 me datë 14.10.2010, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, kanë propozuar në konferencën e kryetarëve që Ndue Paluca dhe Ilir Bano të jenë anëtarë të Komisionit të Ligjeve, ndërsa Mesila Doda të emërohet sekretare në Komisionin e Integrimit Europian.

Komisioni i Sigurisë është i dyti komision që në përbërjen e tij ka shumicën e deputetëve të Kuvendit në numër. Pas Komisionit të Ligjeve, i cili ka në total 27 deputetë, Komisioni i Sigurisë ka arritur të ketë në përbërjen e tij plot 21 anëtarë, mes tyre 10 nga kampi i opozitës dhe 11 nga kampi i mazhorancës.

Largimi i Paulin Sterkaj nga Partia Demokratike i çoi demokratët në Komisionin e Sigurisë në minorancë. Rreth 45 ditë më parë, kur deputeti Sterkaj ndodhej në radhët e PD-së, Komisioni i Sigurisë përbëhej nga 19 anëtarë, 9 prej të cilëve u përkisnin respektivisht PD-së dhe PS-së.

I vetmi person që bënte diferencën ishte pikërisht anëtari i LSI-së, në rastin konkret Paulin Sterkaj. Pas ‘divorcit’ me PD-në, opozita dispononte në Komisionin e Sigurisë 10 vota kundrejt 9 votave të demokratëve. Për këtë gjë u desh ndërhyrja e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila me propozim të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, shtoi edhe dy emra në Komisionin e Sigurisë. Bëhet fjalë për Ndue Palucën dhe Ilir Banon, të cilët ndryshojnë sërish ekuilibrat, këtë herë në favor të demokratëve, të cilët plotësojnë shumicën e humbur në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Votimi i buxhetit të shtetit për vitin 2011, votimi i projektligjit për kontrollin parlamentar mbi SHISH-in dhe ndryshimi i ligjit organik i Shërbimit Informativ Shtetëror ka detyruar Kryetaren e Kuvendit të ndryshojë ekuilibrat në Komisionin e Sigurisë, për shkak të largimit të Paulin Sterkaj nga Partia Demokratike.

Mosmiratimi i këtyre drafteve, sidomos buxhetit në Komisionin e Sigurisë, ku do të diskutohet që prej ditës së sotme buxheti për një seri institucionesh, do të shkaktonte ngërç dhe mosdorëzimin e buxhetit të 2011-s në kohën e duhur në sallën e Parlamentit për miratim. Kjo mund të konsiderohet një manovër tipike e Partisë Demokratike dhe një strategji e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për të siguruar shumicën në Komisionin e Sigurisë, ku duhet të kalojë për diskutim edhe buxheti i shtetit për 2011-n.

Top Channel