Cipa: Shqiptarët të zbatojnë rregullat e BE

15/11/2010 21:50

Analisti i njohur i shtypit shqiptar, Aleksandër Cipa ka deklaruar se me heqjen e vizave nuk janë eleminuar të gjitha burokracitë për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Cipa është shprehur se me heqjen e vizave janë krijuar shumë lehtësi, por do ketë edhe disa pengesa të vogla.

“Nuk është krijuar një psikologji e kalimit të burokracisë. Tani ata që kërkojnë të udhëtojnë do ta kenë këtë burokraci tek polici kufitar, i cili do t’i marrë në pyetje”, ka deklaruar Cipa.

Sipas tij, lëvizja e lirë është një arritje e madhe, por kjo liri duhet të shoqërohet me kulturën e respektimit të rregullave të vendeve ku udhëtojmë.

“Ekziston një dimension i gëzimit populist për lirinë e lëvizjes, por nëse kjo nuk bashkohet me kulturën e rregullave të vendit ku shkon, atëherë do të ketë pasoja”, ka pohuar Cipa.

Kryeredaktori i gazetës “Shqip” ka shtuar më tej se administrata publike duhet ta sqarojë më mirë qytetarin shqiptar.

Top Channel